Telekomi i Kosovës është shndërruar në çerdhe të familjarëve dhe përkrahësve të partive politike në pushtet, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas tyre, në kohën kur kjo kompani, e cila është pronë e Qeverisë se Kosovës, po përgatitet për procesin e privatizimit, zyrtarë të ekzekutivit po garojnë se kush-kënd mundet të punësojë në këtë kompani në të cilën pagat janë mjaft të larta.
Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka cilësuar si shqetësuese situatën në Telekomin e Kosovës, duke thënë se ai distancohet nga cilido punësim që ka ndodhur kohëve të fundit në këtë kompani.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Lluka tregon se rreth 230 persona janë punësuar brenda një viti dhe për këtë thotë ai, kanë kërkuar raport nga menaxhmenti dhe Bordi për punësimet e fundit që kanë ndodhur në Telekom.
“Pas analizimit të raportit, do të marrim masa për këdo që mendon të shfrytëzojë autoritetin dhe pozitën për të ndikuar në punësimin e familjarëve të vet. Po them edhe njëherë se është tejet shqetësuese sepse Telekomi është i mbingarkuar me punëtorë dhe nuk po shfrytëzohen kapacitet e brendshme që i kanë, por po merren punëtorët nga jashtë për të rritur shërbimet që kanë në plan”, thekson Lluka.
Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile theksojnë se në Kosovë është krijuar praktikë që partitë që vijnë në pushtet të emërojnë në pozitat e larta udhëheqëse njerëz të afërt me politikën, apo edhe familjarë të zyrtarëve partiakë.
Në mediat vendore ditë më parë është njoftuar se një anëtar i bordit të Telekomit brenda një periudhe të shkurtër ka punësuar katër fëmijët e tij, kurse vende pune në Telekom kanë gjetur edhe të afërm të disa deputetëve nga partitë në pushtet. Lidhur me këto punësime, edhe vet kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kishte deklaruar se “mund të ketë pasur ndikim indirekt, por jo direkt në punësimin e një familjareje të tij”.
Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë për Radion Evropa e Lirë se është i pakuptueshëm vazhdimi i punësimit partiak apo i nepotizmit (familjarizmit) në Telekom, kur kjo kompani ballafaqohet me probleme të mëdha financiare.
Sipas tij, është nevojë urgjente që Prokuroria të përfshihet në këtë proces dhe të bëjë një hetim të detajuar mbi të gjitha punësimet të fundit që kanë ndodhur.
“Dhe aty ku vërehen që ka pas konflikt dhe ndikim duhet të fillohet me lëndë penale sepse më nuk kemi të bëjmë me shkelje administrative, por thjesht, me gjithë këtë numër të madh të punësimeve të familjarëve dhe partiake, patjetër që kemi të bëjmë me çështje penale”, tha Demhasaj.
Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për punësimet e fundit në Telekomin e Kosovës. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga zyra për informim e Policisë se Kosovës, thuhet se “konfirmojmë se Policia e Kosovës në përputhje me autorizimet dhe përgjegjësitë ligjore është duke e trajtuar si rast”.
Lidhur më nepotizmin në përgjithësi në institucionet publike, të hënën është deklaruar edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell. Ai ka thënë se emërimet dhe punësimet mbi bazën e familjarizmit, dëmtojnë rëndë punësimin e kuadrove profesionale në Kosovë.
Sipas tij, qasja e institucioneve të Kosovës në favor të nepotizmit ndikon në penalizmin e profesionalitetit, çka rrjedhimisht, dëmton punësimin mbi bazën e meritave në pozitat e larta drejtuese.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka pranuar shkallën e lartë të nepotizmit në institucionet publike në Kosovë.
Ai madje ka thënë se kjo dukuri ka zbehur besimin e qytetarëve tek institucionet e vendit, dhe njëherësh kjo është një ndër arsyet pse të rinjtë po braktisin Kosovën.
“Duhet te jemi vetë kritik, partia ime (PDK) ka disa vite që është në pushtet, por duhet të ndalet kjo praktikë që kush e ka më së afërmi pushtetin të punësojë njerëzit e vet. Duke filluar nga Partia Demokratike e deri te partitë tjera. Madje disa po i punësojnë nga dy-tre veta përnjëherë. Këta njerëz do të ndalen dhe këta njerëz do t’i ndalim sepse po shkatërrojnë perspektivën tonë, dhe kanë për të na ikur shumë të rinj dhe të reja”, tha Veseli.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.
Telekomi i Kosovës ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro.
Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës./REL