Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur sot Këshillin Drejtues, ku është diskutuar për përgatitjen për zgjedhjet nacionale dhe zhvillimet e fundit politike në vend.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt janë një moment përcaktues për Kosovën dhe një mundësi për të zgjedhur një të ardhme më shpresëdhënëse.
“Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova sot. Udhëheqja e tij do të sjellë kompetencën dhe qartësinë për të cilën Kosova ka nevojë dëshpërimisht sot. Jam i frymëzuar nga mbështetja e madhe që kemi marrë nga qytetarët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit në mërgatën tonë, gjatë këtyre muajve. Kjo mbështetje është një dëshmi e besimit që populli i Kosovës po rikthen te partia jonë, programi ynë dhe vlerat tona”, ka theksuar Krasniqi.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të PDK-së të mobilizohen dhe të punojnë palodhur për fitore.
“Partia Demokratike e Kosovës qëndron e bashkuar në misionin e saj për të ndërtuar një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe më të mirë. Ne jemi një parti idesh dhe veprimi, vizioni dhe përkushtimi. Ne jemi partia që beson në fuqinë e njerëzve, forcën e demokracisë dhe premtimin e një të ardhmeje më të mirë. Ndërsa rritemi e zhvillohemi, le ta bëjmë këtë me guxim në zemrat tona dhe vendosmëri për veprimet tona, sepse ditët më të mira të vendit tonë janë para nesh”, është shprehur lideri i PDK-së.
Kryetari Krasniqi ka ngritur shqetësimin lidhur me sfidat, me të cilat është përballur Kosova si keqqeverisja, cenimi i sigurisë së shtetit, prishja e raporteve me partnerët strategjikë të vendit.
“Mbi të gjitha, 2 muaj nga sot, ne kemi zgjedhjet nacionale, të parat pas katër viteve të plota të një qeverie të paaftë. Prandaj, më shumë sesa një mbledhje rutinore, sot, ne jemi në një takim vendimtar, i cili duhet të shërbej si një shpallje e përkushtimit tonë të palëkundur për mobilizim dhe fitore. Sulmi terrorist i fundit ndaj infrastrukturës kritike të vendit tonë në Ibër-Lepenc, ka tronditur shtetin tonë. PDK kërkon një hetim të plotë dhe të gjithanshëm mbi këtë akt kriminal dhe terrorist. Drejtësia duhet të vihet në vend shpejt, vendosmërisht dhe pa kompromis. I bëjmë thirrje dhe një herë bashkësisë ndërkombëtare që të qëndrojë pranë Kosovës dhe të reagojë me vendosmëri ndaj veprimeve të vazhdueshme armiqësore të Serbisë”, ka thënë ai.
Po ashtu, kryetari Krasniqi ka ngritur shqetësimin edhe për zhvillimet e fundit në Hagë, ku Zyra e Prokurorit Special ka njoftuar se Presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për kinse pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim.
“Lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri. Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”, ka kërkuar ai.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.ka falënderuar të gjithë anëtarët për mobilizimin dhe organizimin në nivelin qendror dhe lokal për fitoren e PDK-së.
“Janë muajt më të rëndësishëm për ne si familje politike, për Kosovën si shtet, prandaj lëvizni çdo gur, siç i keni lëvizur për çdo fitore në të kaluarën. Punoni në qendrat tuaja dhe afroni njerëzit. Ashtu siç kemi vendosur të garojmë me slloganin Kosova mundet ma mirë, duhet ta dini që edhe PDK-ja mundet ma mirë! Të gjithë ne këtu mundemi ma mirë! Bashkë jemi më të fortë!”, tha Hamza.
Ai është shprehur i lumtur se shumë qytetarë po e shohin PDK-në si alternativë për një Kosovë ma të mirë, si dhe shumë personalitete po i ribashkohen partisë.
“Unë jam shumë i lumtur për rikthimin e shumë personaliteteve dhe aktivistëve përsëri në partinë tonë. Veçanërisht, jam shumë i lumtur që para disa ditësh na u bashkua edhe Altini, djali i ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi. Tani jemi bashkë edhe ne, ashtu siç janë ata në Hagë. Më shumë se secili prej neve, presidenti Thaçi, kryetari Veseli, baci Jakup dhe të tjerët, duan që ne të jemi bashkë edhe në këtë garë, që ta nxjerrim një rezultat sa më të mirë. Jo vetëm për vete, jo vetëm për partinë, por edhe për ata atje. Kur ne jemi më të fortë, edhe ata do të jenë më mirë. Në anën tjetër, jemi shumë të shqetësuar me sjelljen e Gjykatës Speciale, me abuzimet e prokurorisë së saj, siç edhe kemi reaguar këto ditë”, tha kanididati i PDK-së për kryeminstër.
Ndër të tjera, Hamza vuri në pah se sa më shumë që afrohen zgjedhjet parlamentare, aq më tepër do të shtohen tensionet në veri të Kosovës.
“Në natën e sulmit terrorist në kanalin ujor të Ibër-Lepencit, siç e keni parë besoj edhe në mjetet e informimit, unë kam shkuar në vendngjarje menjëherë, në Varagë të Zubin Potokut, që për informimin tuaj, në atë fshat është vrarë edhe xhaxhai im. Jam munduar të jem në krye të detyrës si kandidat për kryeministër dhe si kryetar i Mitrovicës”, tha ai.
Këshilli Drejtues i PDK-së miratoi Deklaratën Politike prej pesë pikave.