Në një zhvillim historik, Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Kanadaja kanë shpallur njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi të dielën se Mbretëria e Bashkuar ka njohur shtetin palestinez – një ndryshim i rëndësishëm në politikën e jashtme britanike, megjithëse me karakter kryesisht simbolik.
Ky hap ka një peshë të veçantë historike, duke marrë parasysh rolin e Mbretërisë së Bashkuar në vitin 1917, kur gjatë mandatit të saj mbi atë që njihej si Palestina, hodhi bazat për krijimin e shtetit izraelit.
“Përballë tmerrit në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe zgjidhjes me dy shtete”, tha Keir Starmer në një video deklaratë.
Vendimi i Britanisë u pasua menjëherë nga ai i Australisë dhe Kanadasë, të cilat poashtu të dielën shpallën njohjen e Palestinës si shtet sovran.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, deklaroi se Australia njeh “aspiratat legjitime dhe të kahershme të popullit të Palestinës për një shtet të vetin”.
Po atë ditë, edhe Kanadaja bëri të ditur vendimin për ta njohur shtetin palestinez, duke u bërë vendi i parë nga grupi G7 që ndërmerr një hap të tillë.