Avokati Arianit Koci, ka kritikuar vendimin e Kuvendit për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë.
Koci, në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se me këtë vendim të Kuvendit janë shkelur rëndë të drejtat pronësore të investitorëve vendor dhe ndërkombëtar.
“Janë dhënë licenca. Këta kanë investuar. Ka prej tyre që kanë marrë lokalet me qira në avancë prej pesë vitesh për shkak të pagesës më të ulët. Ka investitor të huaj që i mbron ligji për investimet e huaja. Në fund tërhiqen licencat. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut edhe licencën e konsideron si pjesë e së drejtës pronësore. E drejta pronësore është një prej të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.
Avokati, siç përcjell Telegrafi, ka thënë se të japish licenca e pastaj t’u tërheqësh në mënyrë ad-hoc është e palogjikshme.
“Tash Kosova është ekspozuar ndaj padive dhe arbitrazheve ndërkombëtare, dhe më këtë vendim edhe ligjet që vet Kuvendi i ka miratuar – si ligji për të huajt, janë shkelë”, tha ndër të tjera Arianit Koci.