Sa herë diskutohet dhe ka përparime për çështjen e të pagjeturve në dialog, përfaqësuesit e institucioneve na porosisin të kemi kujdes që të mos ngrisim shpresa të rreme për familjet e të pagjeturve. Kjo sigurisht për faktin se rrallë parashihen rezultatet e suksesi.
Edhe lajmi të cilin e dha në mëngjes emisari special i BE-së për dialogun hynë në këtë kategori.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Miroslav Lajçak, dha sinjal se në mesjavë në Bruksel fokusin do ta kenë në takimin e parë të Komisionit të Përbashkët Personat e Zhdukur.
Takimi inaugurues në nivel të zëvendësuesve mbahet më 15 janar.
Kosovën e përfaqëson Halil Cenaj, nëpunës i Kabinetit të Kryetarit të delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje e personave të zhdukur.
“Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek Vuçiq, dhe çështje tjera të rëndësishme në këtë fushë…”- Andin Hoti – Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Hoti ka theksuar se takimi është hap i rëndësishëm drejt zbatimit “Deklaratës për Personat e Zhdukur”, për të cilën Kurti dhe Vuçiq ranë dakord më 2 Maj 2023.