Specialisti i anesteziologjisë, Islam Krasniqi çdo ditë mendon që ta braktisë Kosovën për një perspektivë më të mirë në një nga shtetet e Bashkimit Evropian.
Krasniqi, i cili që 22 vjet punon në Klinikën e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), thotë se paga e pamjaftueshme dhe trajnimi jo i duhur i punëtorëve shëndetësorë janë ndër arsyet kryesore që e shtynë atë të largohet nga Kosova ose që të kalojë në sektorin privat.
“Për çdo ditë më shkon mendja të dal jashtë, për çdo ditë shpresojmë e në sfond nuk duhet ndonjë shpresë. Është turp. Mundësi ka edhe këtu, nxënësit, specializantët e mi e kanë lëshuar punën para dhe gjatë pandemisë dhe paguhen dhjetëfish më shumë edhe në sektorin privat e lëre më jashtë Kosovës. Unë nuk punoj në sektorin privat, vetëm në sektorin publik”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
QKUK-ja me 55 anesteziologë
Ushtruesi i detyrës së Klinikës së Anestezionit në QKUK, Gazmend Spahiu thotë se gjatë këtij viti, shtatë specialistë e kanë braktisur QKUK-në. Sipas tij, edhe anesteziologët e tjerë kanë shprehur interesim që të punojnë në ndonjë prej shteteve të BE-së.
“Për momentin janë 55 anesteziologë kurse nevojiten të jenë 62 sosh. Ne tentojmë që të realizojmë të gjitha intervenimet kirurgjike urgjente dhe ato të programuara, por mbesin disa salla të cilat nuk kanë anesteziologë të realizojnë intervenime”, thotë ai.
Sipas të dhënave, paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 630 euro, derisa, shembull në Gjermani, ata paguhen deri në 4,000 euro.
Një specialist “paguhet sa një shofer i një zëvendësministri”.
Paga në sistemin publik shëndetësor në Kosovë është e pamjaftueshme edhe për Tevide Imerin, punëtore shëndetësore në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt.
“Paga e një specialisti, ndoshta tingëllon banale, por është e barabartë me një rrogë të një shoferi të një zëvendësministri. Këtu është problemi. Ne në vazhdimësi na quajnë heronj dhe në fakt nuk kanë bërë asnjë lloj ndihme karshi punëtorëve shëndetësorë”, shprehet Imeri.
Punonjësit shëndetësorë vlerësojnë se nëse nuk ndërmerren masa urgjente, Kosova së shpejti mund të ballafaqohet me mungesë të mjekëve.
Vajza e Tevide Imerit është në vitin e tretë në Fakultetin e Mjekësisë. Ajo tregon se vajza e saj, paralelisht me studimet, ndjekë edhe kurse të gjuhës gjermane, pasi synon që karrierën ta vazhdojë në Gjermani.
“Vajza thotë se dëshiron të ikë menjëherë nga Kosova sepse nuk e gjen veten këtu. Edhe nëse punësohet, nuk ka perspektivë, nuk ka respekt. Edhe shoqet e vajzës synojnë të ikin bashkë me të nga Kosova”, thotë Imeri.
Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, për tetë muajit e këtij viti nga Kosova janë larguar 122 mjekë, mosha mesatare e të cilëve është 31 vjeç dhe qindra të tjerë infermierë.
Për rritjen e pagave përmes Ligjit për pagat, punëtorët shëndetësorë të hënën, më 8 nëntor kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë (FSSH) tha se nëse Ligji i pagave nuk miratohet gjatë këtij viti, ata do të ndërmarrin masa më të ashpra.
Mosha mesatare e mjekut në Qendrat e Mjekësisë Familjare është 57 vjeç. Zoti kryeministër (v.j. Albin Kurti) pas dhjetë vjetësh do pensionohen 1,200 specialistë dhe kush do shërojë këtë popullatë. Truri i Kosovës, falë politikave të gabuara, është duke shkuar jashtë Kosovës. Është mundësia e fundit, edhe një jave do presim, duke respektuar fushatën zgjedhore. Kurse që nga java e ardhshme, nuk garantoj se nuk do të fillohet me bllokimin e sistemit shëndetësor”, tha Syla.
Ligji për paga në bazë të cilin parashihej rritja e pagave në sistemin shëndetësor ishte miratuar në muajin shkurt vitit 2019, kurse në fillim të muaji mars kishte hyrë në fuqi.
Por, në dhjetor të vitit 2019, institucioni i Avokatit të Popullit këtë ligj e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, për siç u tha, “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën. Kushtetuesja më pas e shpalli të pavlefshëm këtë ligj,
Me këtë ligj, një mjeku specialist parashihej t’i rritej paga nga 600 në 1.200 euro, kurse një infermieri nga rreth 400 në 525 euro. Mjeku i sapodiplomuar, pagë mujore merr 502 euro, kurse me Ligjin për paga, tashmë të shfuqizuar, ishte paraparë të merrte 800 euro.
Pagat në rajon
Ndërkaq, gjatë këtij viti në Shqipëri janë rritur pagat e mjekëve deri në 40 për qind, duke arritur rreth 651 euro. Sipas Federatës se Mjekëve Shqiptarë në Evropë, vitin e kaluar mbi 3,000 mjekë janë larguar nga Shqipëria për të ushtruar profesionin e tyre në Evropë, rreth 1,000 prej tyre numërohen në Gjermani.
Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë ka njoftuar se për vitin e ardhshëm shëndetësia do të marrë pjesën më të madhe të parave nga buxheti, rreth 630 milionë euro. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka thënë se me një pjesë të parave do mbulohet rritja e pagave të stafit mjekësor dhe blerja e vaksinave kundër COVID-19.
Edhe në Maqedoninë e Veriut pagat e mjekëve kanë shënuar rritje mes 40 dhe 50 për qind në periudhën 2017-2020, pas përshkallëzimit të situatës epidemiologjike me koronavirusin. Paga e bazë e një mjeku specialist në muajin shkurt të vitit 2021 ka qenë rreth 1,800 euro. Përveç pagës bazë, mjekët specialistë marrin 300 deri në 400 euro në muaj për kujdestaritë (gjatë fundjavave, festave shtetërore dhe turnetë e natës).
Rritja e pagave ka ulur ndjeshëm edhe largimin e mjekëve specialistë nga vendi, thonë nga Ministria e Shëndetësisë se Maqedonisë se Veriut.
Sipas një hulumtimi të bërë para rritjes së pagave, 50 për qind e mjekëve në klinikat universitare mendonin të largoheshin jashtë vendit, ndërsa 61 për qind e mjekëve që punonin në spitalet publike, mendojnë të kalonin nga sektori publik në privat.