Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), Hysen Sogojeva është takuar me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ku në këtë takim është premtuar se gastronomia do të hapet me 18 prill dhe do të punojë me orar 22:30 apo 23:00, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një njoftimi për media, OHT, ka bërë të ditur se kryetari i kësaj Ode, Hysen Sogojeva është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Pas këtij takimi, të dy kanë dalë me disa rekomandime.
Sipas OHT, sektori i dasmave do të jetë pezull, ndërsa do të funksionojnë vetëm sallat me ambient të jashtëm.
Sa i përket sallave të mbyllura, sipas OHT akoma nuk ka ndonjë kohë të caktuar se kur mund të fillojnë, mirëpo sipas tyre, me gjasë mbetet të hapen kur të ndodh 60 përqind vaksinimi i popullsisë.
“Nga ky takim u premtua se Hoteleria dhe Gastronomia do të hapet me datë 18 Prill, me orar deri 22:30 apo 23:00! Për momentin, sektori i dasmave ka mbetur pezull, dhe do të mund të funksionojnë vetëm sallat me ambient të jashtëm, ndërsa për sallat e mbyllura akoma nuk ka një kohë të cekur se kur mund të fillojnë, me gjasë mbetet deri të ndodh vaksionimi i 60% të popullsisë”, thuhet në njoftim.