Të premten, mërzia për Isuf Tetajn është më e madhe se ditëve tjera. Pas katër vitesh së zhvillimit të procedurës penale, erdhi dita e shpalljes së aktgjykimit për vrasësin e djalit të tij.
Arsyetimi i dorasit Shaban Gogaj se nuk ishte në dijeni se arma që shkrepi ndaj Agonis Tetajt ishte e vërtetë, s’është aspak i besueshëm për 71 vjeçarin nga fshati Llukë e Ulët i Deçanit.
Disa minuta para se të nisej për ta dëgjuar verdiktin e Gjykatës Themelore në Pejë, ky e kishte një kërkesë për trupin gjykues.
Pa humbur shpresën për një dënim meritor, Tetajt u nisën drejt sallës së gjyqit.
Si rrallëherë, mobilizimi i Policisë së Kosovës për sigurimin e mbarëvajtjes së seancës ishte shumë i lartë.
Ndër të parët në gjykatore paraqitet i përjashtuari si avokati mbrojtës i Gogajt, Besnik Berisha.
Nga ulësja e mbrojtësit ligjor, ky pret dhe përshëndet të akuzuarin për vrasjen e vitit 2018.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, ia rikujton se tjetërkush është e caktuar si avokate sipas detyrës zyrtare.
Por, kësaj dhe anëtarëve tjerë të përfshirë në vendimmarrje, nuk iu mbush mendja se vrasja u bë me paramendim.
Për këtë arsye, Shaban Gogaj u shpall fajtor për dy vepra penale: “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Armëmbajtje pa leje”.