Me homazhe te varrezat e dëshmorëve, në Gjilan është shënuar Dita e dëshmorëve të kombit, ku mori pjesë nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku, përfaqësues nga niveli qendror, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të UÇK-së.
Nënkryetarja Morina Bunjaku, e cila ka folur në emër të kryetarit Alban Hyseni, ka thënë se janë përgjithmonë mirënjohës dhe falënderues për të rënët, të cilët na e sollën lirinë që po e gëzojmë sot.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se sot në të gjitha trojet shqiptare po bëhet nderimi për të gjithë atdhetarët, të cilët ranë për lirinë e shqiptarëve.
“Është një ditë e lavdisë dhe e heroizmit të brezave të cilët janë sakrifikuar për lirinë e vendit tonë”, ka thënë Isufi.
Më pas, nënkryetarja Morina Bunjaku me bashkëpunëtorët ka vizituar edhe familjen e dëshmorit të kombit, Zija Shemsiu, në Përlepnicë, sikurse që kanë bërë homazhe edhe te lapidarët dhe bustet e dëshmorëve në qytet.