Sonte në Gjilan është përmbyllur edicioni i 31-të me radhë i manifestimit mbarëkombëtar ‘Flaka e Janarit 2022’, i cili në mënyrën më sublime nderoi sakrificën e dëshmorëve përmes trajtimit dhe afirmimit të vlerave artistike.
Ky manifestim u mbajt në vitin jubilar, 40-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës, andaj në hapje të këtij edicioni të „Fest Flakës“ këngëtari Korab Shaqiri ka kënduar këngën „Këngë e pambaruar“ e kompozuar nga Naim Gjoshi, me tekst të Ilir Shaqirit dhe Engjëll Gjokajt, e orkestruar nga Valton Beqiri.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në rolin e nikoqirit, ka thënë se përmes këtij manifestimi unik, kulturor e artistik nderohen përjetësisht dëshmorët e të rënët për lirinë të cilën e gëzojmë ne sot.
„Flaka e Janarit“ përkujton heroizmin e vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekës, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës, të cilët flijuan gjithçka për kombin, kurse rikthen edhe pjesën tjetër, atë artistike e kulturore, e cila edhe sot e kësaj dite frymëzon gjeneratat që vijnë pas tyre.
Hyseni ka folur për të gjitha aktivitetet që u zhvilluan në këtë „Flakë të Janarit“ e që ishin të shumta në këtë përvjetor.
‘Edhe në vitin që vjen e viteve që na presin „Flaka e Janarit“ do të jetë edhe më e begatshme e flakadanët do të ndizen, kujtimet do të rikthehen, heronjtë do të ngjallen mes nesh e brezat e rinj do të mësojnë për heronjtë tanë“, ka thënë Hyseni, duke shpallur të hapur „Fest Flakën“.
Në pjesën artistike janë paraqitur: „Për mu paska qenë kismet“ – Genta e Greta Azizi, „Seç po frynë një fllad pranvere“ – Merita Sahiti, „Ja na erdhi tash pranvera“ – Mefail Ibrahimi, „Po më rreh zemra si valë deti“ – Herolinda Bucaliu, „Ç’na qudite me bukuri“ – Rina Kurteshi, „Të kam dasht dhe të dua“ – Leotrimi.
Drejtor artistik i këtij edicioni ishte Mehmetali Arifi, derisa formacioni orkestral i Trupës Artistike Muzikore, që u shqua për interpretim, u drejtua nga Mentor Latifi.
Më pas interpretuan edhe këta këngëtarë: Hatixhe Nushi – „Kosovarja e Bukur“, Majlinda Bajrami – „Vallë si qenka bërë dynjaja“, Visar Peja – „ Të deshta me hakikat“, Ylberina Abdyli me potpuri nga jugu, „Karajfili i kuq si gjaku“ – Egzona Salaj, „Këngë për Çerçiz Topullin“ – Enkelejda Arifi, „Ndale djallin moj Evropë“, „Pa bashkim nuk ka fuqi“ – Kastriot Tusha, Hekuran Bllaca dhe Burim Demiri.
Në këtë manifestim janë përkujtuar edhe të gjitha ata që kanë dhënë kontribut për „Flakën e Janarit“ e që nuk janë në mes nesh dhe pranë emrave të të cilëve janë vendosur lule.
Më plaket u nderua Florent Boshnjaku, kompozitor edhe atë për afirmimin e vlerave autoktone muzikore, të cilën ia ndau kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili njëherësh e ka shpallur të mbyllur për sivjet manifestimin „Flaka e Janarit 2022“.