Seancë solemne e Kuvendit, në shënim të 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së
Me rastin e 24-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, mbajti sot seancë solemne.
Në këtë seancë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të ndryshme vendore, përfaqësuesi i Familjes Jashari, Rifat Jashari dhe anëtarë të tjerë të kësaj familjeje, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, përfaqësues të stafit diplomatik ndërkombëtar të akredituar në Prishtinë dhe të ftuar të tjerë.
Pas intonimit të himnit kombëtar dhe himnit të Kosovës, kryetari Konjufca ia kaloi fjalën presidentes së Republikës së Kosova, Vjosa Osmani.
Në adresimin e saj, presidentja Osmani vlerësoi lart heroizmin dhe sakrificën e familjes Jashari, e cila, siç tha ajo, shënoi kthesë të rëndësishme në historinë e re të Kosovës, por ndikoi edhe në njohjen e realitetit të trishtë në Kosovë.
Pamjet e fëmijëve, të grave e të pleqve, të rënë në pragun e shtëpisë së tyre, duke mbrojtur pragun e gjithë Kosovës, shtoi presidentja Osmani, u shndërruan shpejt në thirrje për mbrojtjen e vlerave humane kudo në botë, duke prekur në ndërgjegjen e botës së qytetëruar, e cila duhej ta mbronte një popull të shtypur, e duke e mbrojtur atë, t’i mbronte vlerat e qytetërimit të vet.
“Sot përkujtojmë sakrificën e familjes Jashari, peshën historike të ngjarjeve të datës 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998 dhe ndikimin që sakrifica e kësaj familjeje, por edhe atyre burra e grave dhe të rinjve e të reja që u sakrifikuan në altarin e lirisë, krijuan lirinë dhe fatin e historisë sonë të re. Ne sot na ka mbledhur këtu në këtë seancë pikërisht krenaria për heroin tonë legjendar, për familjen Jashari, për heronjtë tanë, për qëndresën e popullit tonë”, tha presidentja Osmani.
Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij para deputetëve, tha se ishte masakra e Prekazit ajo e cila u bë kthesë përcaktuese në trajektoren e zhvillimit të luftës sonë të vitit 1998 – 1999, por njëkohësisht edhe në zgjimin e ndërgjegjes ndërkombëtare e të vetëdijes diplomatike botërore.
Kryeministri Kurti tha se me prezencën në këtë seancë, po nderohet një ngjarje sa e veçantë, aq edhe e pashembullt në historinë tonë: heroizmi i Prekazit dhe i familjes Jashari, i atyre që na kujton se sa rrugë e gjatë e vështirë është bërë për të ardhur këtu ku jemi.
“Sot duhet të flasim për të kaluarën, ta nderojmë atë, sidomos në këto kohë jo të lehta nëpër të cilat po kalojmë së bashku”, theksoi kryeministri Kurti.
I pari i qeverisë tha se sot është e pamundur të mos përmendet fakti që bashkëluftëtarë të Adem Jasharit gjenden në Hagë.
“Është e pamundur të mos e përmend që kur kujtojmë një prej heroizmave më të pashembullt, në Hagë kemi bashkëluftëtarë të Adem e Hamëz Jasharit që mbahen në burg, pikërisht për këtë luftë, për narrativen që e kemi ndërtuar me gjak, ndërkaq Serbia dëshiron ta rindërtojë me gënjeshtra”, theksoi kryeministri Kurti.
Gjatë adresimit të tij në seancë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se 5 marsi është akti suprem i lirisë sonë kombëtare, ndërsa shtoi se nuk ka përkulje që të mund të jetë aq e thellë sa ta përçojë pietetin meritor, e as mirënjohje aq të lartë sa t’ia japë hakun rënies heroike familjes Jashari.
Kreu i Kuvendit tha se ngjarja më e rëndësishme për shqiptarët me të cilën filloi shekulli XX ishte pavarësia e Shqipërisë, kurse ngjarja më e rëndësishme me të cilën u mbyll ky qindvjeçar ishte çlirimi i Kosovës. E ngjarja më e rëndësishme brenda çlirimit, shtoi ai, padyshim që është rënia heroike dhe sakrifica kolosale e Jasharajve me në krye Komandantin legjendar, Adem Jashari.
“Të jesh çlirimtar do të thotë të jesh i gatshëm deri në fund brenda të drejtës. Më 5 mars të vitit 1998 krejt kombi shqiptar dhe fati ynë varej në idealin Jasharajve. Kulla e tyre u shndërrua në shtëpinë e kombit. Kurse flijimi i tyre u kthye në frymë të çlirimit. Rënia e Jasharajve e bëri ushtri UÇK-në. Ajo popullin e ktheu në një bashkësi e cila jetën nuk e kupton si diçka që mund të shpëtohet, por si më të çmuarën që duhet të jepet. Deri më 5 mars donim të fitojmë. Pas 5 marsit nuk mund të humbnim më. Sepse krejt populli u bë UÇK”, theksoi kryeparlamentari Konjufca.