Ka nisur Festivali i Dramës Kombëtare “Talia e Flakës“, i cili tash e 34 vite me radhë mbahet në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit” nën organizimin e Komunës së Gjilanit, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë.
Këtë vit atë e ka shpallur të hapur Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre e Kosovës dhe njëherit edhe Ministre e Punëve të Jashtme.
Ndryshe, Migjen Fazliu dhe Avni Shkodra, nga OJQ “Varg e Vi”, pasi kanë lëvduar punën e mëhershme të organizatorëve të Festivalit, kanë bërë me dije se cilat shfaqje do të jenë në program këtë vit: “Bëje ose vdis” – Teatri i Gjakovës, “Stiffler” – Integra Prishtinë, “13” – Teatri Adriana nga Ferizaj, “Dredhitë e Patukut” – Teatri i Tetovës, “Lule Sajza” – Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, “Krejona” – Teatri “Bekim Fehmiu” nga Prizreni dhe “Jam unë ajo” nga Produksioni “Bon”.
Avni Shkodra ka thënë se në këtë edicion është kthyer edhe konkursi për Dramën Origjinale më të mirë të shkruar në Gjuhën Shqipe dhe siç ka bërë ai me dije, deri më tashti janë pranuar 24 drama të tilla, kurse më 31 janar në Gala Mbrëmje do të jepet vendimi për më të mirën. Mbase, sivjet, të hyrat nga biletat do t’i dedikohen pikërisht dramës më të mirë, si stimulim për dramaturgjinë shqiptare.
Juria e “Talia e Flakës” sivjet do të vendos për gjashtë çmime, për skenografinë – fotografinë, kostumografinë apo dizajnin më të mirë, aktori më i mirë, aktorja më e mirë, teksti më i mirë, regjia më e mirë dhe shfaqja më e mirë, e cila do të përzgjidhet nga pikët më të shumta nga çmimet paraprake.
Në hapje, Donika Gërvalla, e bija e Jusuf Gërvallës, ka theksuar se fryma krijuese dhe arti kombëtar bashkohen në këtë festival për të nderuar heronjtë, festival që lidh të kaluarën tonë me të ardhmen, i atillë që promovon traditën e kulturën përmes dramës dhe teatrit. Në të mblidhen trupat teatrore nga të gjitha trevat shqiptare dhe është dëshmi e pasionit dhe përkushtimit të komunitetit tonë artisti.
Që nga nisja e festivalit, ai kishte qëllim të mbronte kulturën dhe identitetin tonë dhe në 34 vitet e „Flakës…“ ai solli shumë shfaqje, nxiti autorët shqiptarë për krijime të reja, tha Gërvalla.
Në natën e parë të Dramës Kombëtare “Talia e Flakës 2025” është dhënë shfaqja “Bëje ose vdis” me skenar të Jeton Nezirajt e me regji të Blerta Rrustemi – Nezirajt. Shfaqja është prodhim i Teatrit “Hadi Shehu” nga Gjakova e në të u paraqiten aktorët Jahja Shehu, Ernest Malazogu, Edi Kastrati, Armend Smajli, Albulena Kryeziu -Bokshi dhe Altina Kusari.
Shfaqja në thelb paraqet rezistencën e popullit shqiptar ndaj regjimit serb, është një lloj homazhi për atdhetarin Ukshin Hoti dhe të gjithë veprimtarëve që dhanë gjithçka nga veti për çështjen kombëtare, por edhe nëpërmjet rrëfimeve të aktorëve në skenë në të njëjtën kohë shpalosen persekutimet, vuajtjet, përndjekjet e burgosjet e shqiptarëve, me të vetmen arsye se ata angazhohen për të vendosur vetë për fatin e tyre, për shtetin e tyre e për bashkim kombëtar.
Kjo shfaqje i është kushtuar Ukshin Hotit politikan, intelektual, profesor dhe ish i burgosur politik në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe në burgjet serbe. Ukshin Hoti për herë të parë ishte burgosur në vitin 1981 e më pas edhe në vitin 1994 dhe që nga dita kur duhej të lirohej nga burgu më 16 maj 1999, për fatin e tij nuk dihet asgjë dhe mbetet i pagjetur.
Ukshin Hoti sot është kthyer në një simbol që sublimon fatin tragjik të atyre dhjetëra mijëra të burgosurve politikë shqiptarë, të torturuar burgjeve jugosllave e serbe. Por ai është po ashtu edhe emblemë që paraqet përpjekjen, përkushtimin, sakrificën e angazhimin politik për liri, barazi e dinjitet të popullit shqiptar, të atyre dhjetëra mijëra grave e burrave aktivistë të ilegales shqiptare në Kosovë.
Rezistenca, qëndresa dhe çmimi i lartë që ky brez idealistësh ka paguar në burgje, është bazamenti i Republikës së Kosovës, por është edhe frymëzim për brezat që tani po rriten pa frikën se dikush mund t’i burgosë vetëm pse janë shqiptarë.
Në shfaqjen “Bëje ose vdis” figura e Ukshin Hotit vjen si simbol i fatit tragjik i të burgosurve politikë shqiptarë.
Shfaqja nis e mbaron me shqiptimin e mijëra emrave të të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet serbe e shfaqja kulmon me vendimin për lirimin e Ukshin Hotit, por edhe me lajmin për vendimin për bombardimet e NATO-s, sikurse edhe me zhvendosjen e të burgosurve nga njëri burg në tjetrin. Tek protagonistët e shfaqjes ngjallen dyshimet, aq më parë se Ukshin Hoti po lirohej një ditë para se ta përfundonte dënimin, në ditën e diel e duke i rezistuar kësaj kërkese, shfaqen rreziqe të jetës së tij gjatë qëndrimit aty edhe për një ditë.
Ata transferohen vazhdimisht dhe kjo ngjall dyshimin se ajo po bëhej qëllimisht për të qenë cak i bombardimeve që po vazhdonin. Lajmet e kobshme që vinin vazhdimisht bënin që te ta të shfaqej lodhja fizikisht e mendërisht. Te kryepersonazhi, që ishte një aktivisti i shquar i çështjes kombëtare vazhdimisht ishte i palëkundur për bashkimin kombëtar, ngase “Populli shqiptar duhet bashkuar”- ishte fraza që e shoqëron në disa pjesë të shfaqjes.
Bashkimi Kombëtar ishte ideali i tij edhe në burgun, ku duart i kishte të lidhura. Ideal që do të shuhej vetëm me zhdukjen – vrasjen e tij, që ndodhi më 16 maj 1999, paraditen e së dielës, ditë e pazakontë për t’u liruar nga burgu. Kjo merret vesh nga dëshmia e njërit prej ish-të burgosurve, që tregon se kishin dëgjuar gardianët duke biseduar mes vete se Ukshin Hoti qe vrarë veç treqind metra larg Burgut të Dubravës. Rrëfen se kufoma qe filmuar dhe imazhet për identifikim i ishin treguar atij. Ai konfirmon se bazuar në pamjet që kishte parë, ai ishte Ukshin Hoti.
Aty vijojnë të rrëfehen maltretimet në burg e humbja e shpresave se nuk do të kishte të ardhme për ata që ishin prapa grilave, e për të tjerët jashtë.
Ndryshe në shfaqje është paraqitur edhe Mehmetali Rexhepi, ish i burgosur politik, i cili ka rrëfyer për mënyrën e burgosjes, jetën në burg të tij dhe të bashkëvuajtësve të tjerë, por edhe për vendin e ish të burgosurve politik në shoqërinë e tashme në Kosovë, e cila nuk ka bërë sa duhet për këtë kategori.
Publiku e ka mirëpritur këtë shfaqje dhe lojën e aktorëve e ka duartrokitur gjatë.
Sonte, në mbrëmjen e dytë do të jepet shfaqja “Stiffler” , produksion i Integra nga Prishtina.