Për tre vjet 350 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku. Vetëm nga janari e deri në nëntor të këtij vitit në aksidente kanë vdekur 103 persona, teksa njohësit e rrethanave vlerësojnë se gjendja është alarmante, shkruan Zëri.
Vlora Spanca, ndihmëse e auditorit të përgjithshëm, përmendi një varg faktorësh, që sipas saj po ndikojnë në rritjen e aksidenteve në trafik. “I pari, mbulimi i mangët i rrugëve me kontrolle policore, mosorientimi i kontrolleve policore sipas nevojave dhe rreziqeve, mosinspektimi ose kontrolli dhe mbikëqyrja e dobët e kontrolleve policore nga drejtorët ose njësitë përkatëse, pastaj edhe sistemi informativ i PK-së ishte me të dhëna të pakta”.
Më tutje Spanca ka përmendur edhe mungesën e mirëmbajtjes së rrugëve dhe sinjalizimin si njërin ndër faktorët që është duke ndikuar në shtimin e aksidenteve. “I dyta ka të bëjë me mosimplementimin e kritereve të rëndësishme të sigurisë rrugore, mosidentifikimi dhe menaxhimi i vendeve të rrezikshme, mungesa e mirëmbajtjes së rrugëve dhe sinjalizimi, mosfunksionalizimi i e-Testimit për Patentë Shoferi, mbikëqyrja e dobët e qendrave të kontrollit të automjeteve”, ka thënë më tutje ajo.
Duke folur mbi hulumtimin e bërë nga ZKA-ja, ajo theksoi që më së shumti humbje jetësh në komunikacion pati gjatë vitit 2017 e ku jetën humbën 137 njerëz. “Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, e cila funksion në kuadër të MPB-së, në vitin 2017 ishte shënuar një rritje drastike, duke e krahasuar me vitin 2016, ku nga 110 persona të vdekur në trafikun rrugor ky numër ishte rritur në 137. Nuk është se kishte ndonjë ndryshim drastik në vitin 2018 dhe në këtë vit numri i personave të vdekur ishte 129”, ka thënë më tutje ajo./ Zëri