Mospastrimi i listave të votuesve nga persona që kanë vdekur dhe ata që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, vazhdon të jetë problem në pothuajse secilin proces zgjedhor. Sipas njohësve të çështjeve politike në pastrimin e listave duhet të punojnë më shumë KQZ me institucionet përkatëse.
Mospërputhja e numrit të votuesve me numrin e banorëve rezidentë në vend vazhdon të jetë problem edhe për zgjedhjet parlamentare të këtij viti.
Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së në zgjedhjet e 6 tetorit janë rreth 1 milion e 972 mijë votues, derisa sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 numri i popullatës së përgjithshme rezidente në Kosovë ishte 1.795.666.
Pra janë rreth 200 mijë votues më shumë se sa banorë.
Megjithatë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se lista e votuesve nuk mund të krahasohet me numrin e popullsisë.
“Regjistrimi i popullsisë dhe lista e votuesve nuk mund të krahasohen njëra me tjetrën për arsye se janë dy dokumente të ndryshme. Sa i përket listës së votuesve, aty përfshihen edhe banorët që jetojnë jashtë vendit ndërsa në regjistrimin e popullsisë janë të përfshirë vetëm banorët rezidentë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Valmir Elezi.
E analisti Rasim Alija thotë se problemi me mos pastrim të listave ka qenë në secilën palë zgjedhje, por që sipas tij duhet të bëhen bashkë disa institucione që të bëhet pastrimi I tyre, përcjell Telegrafi.
Është dashur të bëhet një punë shumë më e madhe nga ana e KQZ-së, por edhe një bashkëpunim mes tri institucioneve tjera siç janë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe bashkësive fetare do të kishte sjellë listën e votuesve në shifra reale”, deklaroi Rasim Alija.
Alija ka thënë se nëse përsëri do të mbahen procese zgjedhore me lista të pa pastruara do të ndikojë në manipulime me rezultatin zgjedhor./Telegrafi/