Me aktivitetin sportiv Vrapimi i Lirisë, Komuna e Gjilanit ka nisur aktivitetet në shënim të Ditës së Çlirimit, në ngjarjen ku mori pjesë nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku e drejtori për Kulturë, Rini e Sport, Kushtrim Zeqiri.
Në emër të kryetarit Alban Hyseni, nënkryetarja Morina Bunjaku dhe drejtori Zeqiri u kanë uruar qytetarëve Ditën e Çlirimit, dhe pjesëmarrësve suksese në këtë garë të vrapimit, derisa kanë rikonfirmuar mbështetjen e Komunës së Gjilanit për sportistët me të gjitha kapacitetet komunale.
“Shpresojmë dhe besojmë që të gjithë qytetarët do ta ndjejnë atmosferën festive dhe i ftoj që të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve”, ka thënë nënkryetarja Morina Bunjaku.
Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit, sot janë mbajtur edhe garat e notit në pishinën Europa – Kmetoc, ndërkaq do të mbahet edhe aktiviteti kulturor “Ballë për Ballë me Poetin” në ora 15:00, në Bibliotekën e Qytetit dhe në mbrëmje, në ora 20:00, në Teatrin e Qytetit shfaqet monodrama “Cili je…Cili je…”, e aurorit Bedri Selmani.
Ndërkaq, nesër (15 qershor), janë paraparë të mbahen këto aktivitete: seanca solemne e Kuvendit Komunal (salla e teatrit të qytetit, ora 9:00), homazhe te varrezat e dëshmorëve (10:00 – 12:00), turneu i futbollit i veteranëve (stadiumi ndihmës, ora 17:00), koncerti për fëmijë në ora 17:00 te platoja e Teatrit të qytetit, ndezja e flakadanëve te varrezat e dëshmorëve – platoja e qytetit (20:00 – 21:00), për të përfunduar me koncertin festiv në ora 21:00, te platoja e teatrit.
Përndryshe, aktivitetet për nder të Ditës së Çlirimit po mbahen nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.