Fitorja e Zvicrës kundër Serbisë me rezultat 2:1 është bërë lajm botëror, shkruan zeri.info
Këtë fitore të helvetikëve më të veçantë e ka bërë fakti se kreatorë të saj ishin futbollistët shqiptarë me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, golat e të cilëve i shkaktuan disfatë të madhe Serbisë.
Mediat e mëdha botërore si: “The Washington Post”, “The Guardian”, “BBC”, “The Sun”, etj., kanë shkruar se futbollistët shqiptarë të Zvicrës, sidomos Valon Behrami, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kanë prejardhje nga Kosova dhe se familjet e tyre ishin të përndjekura nga ish regjimi serb, andaj kishin migruar në Zvicër, ku në ndërkohë kishin gjetur strehim, edukim dhe zhvillim si sportistë.
Ndërsa, me golat e shënuara të premten iu hakmorën pikërisht shtetit që dikur i kishte përndjekur prindërit e tyre, Serbisë.
Fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë me golat e dy futbollistëve shqiptarë mediat e huaja e kanë ndërlidhur me historinë e dhimbshme të shqiptarëve karshi ish regjimit serbë, shkruan zeri.info
Andaj, e kanë vlerësuar edhe si një fitore të Kosovës, e cila tani është shtet anëtar i UEFA-s dhe FIFA-s, por që nuk ka arritur të kualifikohet në Botërorin “Rusia 2018” edhe pse për herë të parë kishte marrë pjesë në kampanjën kualifikuese për këtë eveniment.