Incidenti mes Gjilanit dhe Ballkanit në kuadër të javës së 27-të në BKT Superligën e Kosovës ka bërë jehonë në mediat rajonit.
Mediumi kroat “index.hr” raporton për dhunën që shkaktuan tifozët e skuadrës gjilanase në portierin e asaj të Therandës, Stivi Frashëri.
“Tifozët ndërpresin ndeshjen në Kosovë. Portieri pas goditjes përfundoi në spital”, është titulli i tyre, derisa në raport përshkruajë në mënyrë kronologjike ngjarjen.
Ky incident nuk kishte se si të mos raportohej edhe në mediat në Shqipëri, pasi Frashëri në të kaluarën ka luajtur për Teutën, e që ishte edhe kampion.
Gjilani ka dalë pak çaste më parë me një njoftim zyrtar, duke thënë se komisioni i garave do të marrë vendim zyrtar se çfarë do të ndodhë me ndeshjen e papërfunduar.
Në një skenar më të keq, skuadra gjilanase mund të humbë ndeshjen me rezultat zyrtar 3-0, ndërsa në të mirin mund të vazhdohet ndeshja nga minuta kur është ndërprerë.