Shqipëria, deri vonë një perlë e fshehur e Evropës, po përballet me një rritje shpërthyese të turizmit. Që nga viti 2015, numri i turistëve në vend është pothuajse trefishuar – nga 3 milionë atëherë në 10 milionë në vitin 2023, që përfaqëson një rritje prej 56% krahasuar me nivelet para pandemisë. Qeveria shqiptare pret që ky numër të rritet në 30 milionë në vit deri në vitin 2030, gjë që do ta bënte vendin të priste më shumë turistë sesa Portugalia ose Kroacia aktualisht, shkruan britanikja.
Mirëpo, mediumi britanik shkruan se kjo rritje e madhe e turizmit ngre shqetësime në lidhje me mjedisin dhe infrastrukturën.
Presioni po ndihet edhe në tregun e pasurive të paluajtshme: vendasit po e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë strehim të përballueshëm, pasi investimet e huaja dhe kërkesa nga turistët kanë rritur ndjeshëm çmimet. Situata të kujton atë që po ndodh në destinacione të njohura si Majorka, thuhet në artiukull.
Investitorët Jared Kushner dhe Ivanka Trump
Shqipëria po e pozicionon veten gjithnjë e më shumë si një destinacion tërheqës turistik. Plazhet e saj me rërë, bukuritë natyrore si Syri i Kaltër, teleferiku Dajti Express dhe parku arkeologjik i Butrintit po tërheqin një numër gjithnjë e në rritje udhëtarësh, përfshirë edhe influencues të famshëm të mediave sociale. Midis investitorëve janë Jared Kushner dhe Ivanka Trump, të cilëve u është dhënë drita jeshile për të ndërtuar një hotel luksoz me vlerë 1.4 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit.
Sipas Këshillit Botëror të Turizmit, Shqipëria është aktualisht tregu i tretë turistik me rritjen më të shpejtë në botë, pas Katarit dhe Porto Rikos, thuhet tutje në artikull.