Fikri Mehmeti, sekretar në Alternativa, dega në Gjilan ka thënë se komuna e Gjilanit në dhjetë vitet e fundit më shumë i ka ngritur pagat se sa investimet kapitale. Edhe pse po mundohen t’i hedhin hi syve qytetarëve me disa grante nga 200 mijë, 80 mijë euro, qytetarët po e prekin, po e shohin dhe po e jetojnë keqmenaxhimin e buxhetit, ka thënë ai.
Sipas Mehmetit, qytetarëve po iu mungojnë trotuaret, rrugët e shtruara me asfalt, kanalizimet dhe ujësjellësi, ndriçimi dhe projekte të reja.
“Derisa dikush po krenohet me një ndarje prej 5 milion euro për investime kapitale, hiç më larg se komuna e Ferizajt nga viti 2016 çdo vit ka realizuar mbi 9 milion euro investime kapitale, dhe në buxhetin për vitin 2019 ka të planifikuara 10 milion euro investime,me buxhetin e përgjithshëm prej 30 milion eurove”, ka thënë Mehmeti i Alternativës.
AI shtoi se komuna e Gjilanit ka dështuar në ngritjen e investimeve kapitale dhe projekteve të reja në dhjetë vitet e fundit. Menaxhimi i dobët i buxhetit në dy mandate qeverisëse ka bërë që të jemi shumë mbrapa krahas komunave tjera të mëdha, dhe projekteve të reja, të cilat që nga viti 2010-të, kanë ngritje të mëdha në investime kapitale.
Mehmeti tha se krejt kjo prapambetje në investime kapitale është nga menaxhimi i dobët me buxhetin nga qeveria aktuale. Që nga viti 2010-të, kur ka qenë investimi më i madhë kapital me 7,126,451 €, nga buxheti i përgjithshëm, asnjëherë më nuk është kaluar ky buxhet në investime kapitale. Do të e bëjmë një krahasim se si i është dhënë përparësi ngritjes së pagave, dhe jo investimeve kapitale.
Në vitin 2010-të buxheti i përgjithshëm i komunës ka qenë 19,236,440 €, ndërsa investime kapitale ka pasur 7,126,451 €.
Në vitin 2016-2018-të, buxheti i përgjithshëm ishte 21,288,222.00 €, ndërsa investime kapitale ka pasur: 3,365,809.00 €, që do të thotë se investime kapitale në vitin 2016-2018 ka pasur më pak se në vitin 2010-të.
Në vitin 2010-të, nga buxheti i përgjithshëm 19,236,440 €,paga janë ndarë: 8,601,906.00 €. Ndërsa në vitin 2018-të, nga buxheti 21,288,222.00 €, paga janë ndarë: 14,286,213.00 €.
Pagat janë rritur së paku 3 herë nga 25% nga viti 2010-të, ndërsa vëllimi i buxhetit vetëm 10%.
Buxheti i përgjithshëm i planifikuar për vitin fiskal 2019-të, sipas qarkores buxhetore, do të jetë 25.508.785 euro.
15.436.123 € apo 60 % do të shkoje për paga, ndërsa 5.082.228 € apo 19,92% – për investime kapitale.
“Ne vlerësojmë se krejt kjo rritje e pagave ka shkuar në dëm të investimeve kapitale sepse, kategoritë tjera pak ose aspak nuk janë tkurrur (mallrat e shërbimet, shërbimet komunale, subvencionet). Njëherësh vlerësojmë se pak janë 5 milion euro për investime kapitale për Gjilanin si komunë e madhe, për arsye se shumica e tyre harxhohen në mirëmbajtje të infrastrukturës fizike të saj (shkollat, ambulantat, rrugët, gjelbërimi, ndriçimi) e pak mbesin për projekte të reja”, ka thën[ Mehmeti.
Ai tha se janë të vetëdijshëm se komunat janë të cenuara me buxhet, sepse formula për ndarjen e granteve janë të vjetruara, dhe nuk i joshin kërkesat aktuale zhvillimore të tyre, por zgjidhja e kësaj do të ishte nëse formulën e ndërron qeveria me insistimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Dhe ashtu si komuna jonë, edhe komunat tjera trajtohen ballafaqohen me këtë formulë të ndarjes së buxhetit.
“Për të treguar se komuna e Gjilanit ka pasur vetëm regres dhe jo progres në planifikim buxhetor dhe investime kapitale, po e marrim shembull një komunë e cila është e afërt me të, si për nga sipërfaqja territoriale, ashtu edhe për nga numri i banorëve”, ka shtuar tutje Mhemeti.
Komuna e Ferizajit, për vitin 2016-të, buxhetin e përgjithshëm e ka pasur 23.880.179 €, ndërsa investime kapitale 9.895.349 €, dhe që nga viti 2013-të, pavarsisht buxhetit të përgjithshëm investime kapitale ka pasur mbi 9 milion €. Ndërsa komuna e Gjilanit, me 25.508.785 € buxhet, investime kapitale do të ketë vetëm 5.082.228 € për vitin 2019-të, dhe ky buxhet më shumë do të shpenzohet në ”harnime” e mirëmbajtje se sa në investime të projekteve të reja. Për të mos e përrmendur faktin se komuna e Ferizajit buxhetin për vitin 2019-të do ta ketë 30,934,846.00 €, ndërsa investime kapitale do të ketë: 10,005,732.00 €. E kjo do të thotë se jemi disa vite mbrapa komunës së Ferizajit. Krejt kjo falë keqmenaxhimit dhe planifikimit jo të mirë të buxhetit, ka përfunduar Mehmeti .