Në Konventën e Përgjithshme të Partisë Demokratike e Kosovës, të njëmbëdhjetën me radhë, Memli Krasniqi është rizgjedhur kryetar i PDK-së.
Krasniqi ka falënderuar delegatët e pranishëm për besimin e dhënë, për të vazhduar së bashku punët e mira për Kosovën.
“Faleminderit shumë, për besimin. Faleminderit për mbështetjen. Faleminderit që nderin dhe përgjegjësinë më të madhe jetësore ma dhatë edhe sot sepse kur jam bashkuar për herën e parë në PDK në pranverën e vitit 2004 nuk e kam ëndërruar e as nuk e kam pasur ambicie të jem kryetar i partisë së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”, tha lideri i PDK-së, transmeton Klankosova.tv.
Në këtë konventë, ai u zotua se do të angazhohet për ta rikthyer PDK-në si partinë e parë në vend.
“Krejt çka di dhe krejt çka mundem do ta bëj për ta rikthyer Partinë Demokratike të Kosovës aty ku e ka vendin si partinë më të madhe dhe udhëheqëse të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se kur Kosova dhe PDK-ja ecin së bashku, ka vetëm një drejtim, “përpara”.
“Kauza jonë është Kosova. Kauza jonë është zhvillimi. Kauza jonë është e ardhmja. Dhe ne do ta ndërtojmë atë – së bashku”, shtoi ai.
Ai kërkoi besimin e delegatëve për të nisur së bashku kapitullin e ri të udhëheqjes me dinjitet, shërbimit të guximshëm dhe ringritjes.
“PDK është në rritje, dhe rritja kërkon stabilitet. Po përgatitemi për fitore, dhe fitorja kërkon unitet. Prandaj, kërkoj mbështetjen tuaj për të vazhduar si Kryetar i juaji edhe në sfidat që i kemi përpara. Jo për pozitën, por për misionin. Jo për veten, por për rrugën që duhet ta ndjekim së bashku. Sepse punët që na presin: fitorja në zgjedhjet lokale, udhëheqja e qeverisë së ardhshme, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, kthimi i Kosovës në partner serioz ndërkombëtar, nuk mund të presin”, u shpreh ai.
Krasniqi u kërkoi të pranishmëve të zotohen për të punuar së bashku në mbështetje të të gjithë kandidatëve në zgjedhjet lokale.
“Bedri Hamza, Agim Aliu, Shaqir Totaj, Fadil Nura, Ramiz Lladrovci, Ferit Idrizi, Besim Ilazi, Mehmeti Ballazhi, por edhe Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, janë shndërruar në kampionë të qeverisjes së mirë gjithandej Kosovës: Nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim. Ata janë kampionë të zhvillimit, transparencës dhe rezultateve, të konfirmuara e shpërblyera për këtë gjë. Tani, unë e kuptoj që vjen një periudhë ku secili person politik, për një arsye ose tjetër, ndjen se ka ardhur koha që t’u krijojë hapësirë gjeneratës së re. Dhe, natyrisht, për ta, ne do të kemi gjithmonë vetëm mirënjohje dhe falënderim, që kanë përfaqësuar me dinjitet identitetin e PDK-së”, shtoi Krasniqi.
Ai shtoi se për katër vjet, PDK u ngrit, u anëtarësua në rrjetin e familjeve evropiane dhe botërore të partive liberal-demokrate, organizoi Konventën 50/50 për fuqizimin dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje, fuqizoi Rininë Demokratike të Kosovës, ku sot kryetarja e saj Arbnora është deputete.
“Kur mora drejtimin e partisë para katër vitesh, e dija peshën që po mbaja, ashtu siç besoj e dinte edhe Enveri para meje. Para nesh qëndronin dy figura historike të kombit tonë: Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Jo vetëm udhëheqës të PDK-së, por liderë të një populli, të cilët udhëhoqën Kosovën nga rezistenca në liri, nga lufta në shtetformim. Sot për sot, ata janë larg nesh fizikisht, në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit tonë për liri, por ata kanë qenë dhe janë me ne në çdo hap të rrugës. Prandaj, thirrja ime e brendshme, mbi të gjitha, ishte kjo: Të nderoj trashëgiminë e tyre politike duke bërë hapa përpara si parti!”, theksoi Krasniqi.
Ai tha se PDK vazhdon t’i thotë jo çdo ideje për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila e solli Kosovën në gjendje regresi dhe stagnimi.
“Kemi qenë të vendosur që të ndryshojmë kahjen e gabuar në të cilën e ka futur vendin Qeveria në ikje, përmes krijimit të Qeverisë së re me partitë e opozitës së kaluar, me Bedri Hamzën Kryeministër. Por, po aq me vendosmëri, e themi edhe sot: nuk do të votojmë asnjë kandidat për Kryetar të Kuvendit që ka qenë pjesë e qeverisjes së kaluar, sepse besojmë që Kosova nuk mund të ecë përpara me ata që e kthyen mbrapa. Ne nuk jemi këtu për të ndihmuar riciklimin e kapitullit më të dështuar politik të shtetit tonë. Ne jemi këtu për të shkruar një kapitull të ri”, shtoi Krasniqi.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza tha se PDK duhet të kthehet në pushtet për ta zhvilluar Kosovën.
“A e dini pse nxorëm rezultat më të mirë në zgjedhjet e 9 shkurtit? Sepse, ne e depolarizuam shoqërinë kur të tjerët provuan ta përçanin. Ne i bashkuam qytetarët rreth programit tonë. Në vend të retorikave boshe, ne ofruam program, zgjidhje, paga e mirëqenie më të mirë për qytetarët dhe transformim ekonomik për shtetin tonë. I lamë anash dallimet e vogla për t’u bashkuar rreth vlerave tona dhe interesit të përgjithshëm. Këtë po e bëjmë edhe sot në këtë konventë me vazhdimin e besimit për kryetarin Memli Krasniqi dhe për strukturat e reja të partisë. Këtë duhet ta bëjmë edhe më 12 tetor në çdo komunë të Kosovës dhe kurdo që në pyetje është interesi i qytetarëve dhe i shtetit tonë”, theksoi ai.
Në këtë Konventë, PDK miratoi Deklaratën Politike prej 15 pikave, ku riafirmon përkushtimin për ta udhëhequr Kosovën drejt rimëkëmbjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, forcimit të demokracisë dhe integrimit të plotë euro-atlantik.