Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se krijimi i Kabinetit të Qeverisjes së Mirë erdhi si shkak i mospunës së qeverisë aktuale.
Krasniqi tha se pas më shumë se një viti qeverisje të plogësht dhe depresive, ishte e domosdoshme që të krijojnë një alternativë të asaj se si duhet të jetë qeverisja e mirë.
“Krijimi i një qeverisjeje në hije, krijimi i Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, përkundër të tjerave, është obligim statusor që ne si parti e kemi obligim në momentin që jemi opozitë. Pas më shumë se një viti të kësaj qeverisjeje të plogësht dhe depresive, siç edhe e kam thënë, është bërë e domosdoshme që ne të ndërtojmë edhe një platformë alternative të asaj se si duhet të duket qeverisja, por edhe se si duhet të jetë e strukturuar qeveria e ardhshme”, tha ai në Klan Kosova.
“Si udhëheqëse e opozitës, Partia Demokratike e Kosovës në më shumë se dy vjet është munduar që, përkundër limitimeve në periudha të caktuara, siç ishte pandemia, të ndërtojë vizion dhe të ofrojë këtë alternativë, që të ofrojë këtë dallueshmëri tonën në raport me qeverinë aktuale. Por, që tashmë përmes Kabinetit për Qeverisje të Mirë, ne do të ofrojmë edhe alternativën konkrete për të gjitha fushat dhe të gjitha dikasteret dhe politikat, për të cilat vërtet konsiderojmë që janë të domosdoshme dhe të munguara në Kosovë”, tha Krasniqi.