Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se është i informuar për propozimin e Abdixhikut dhe se kjo çështje do të diskutohet nesër në mbledhjen e rregullt të partisë.
Krasniqi ka thënë se bllokada e krijuar është “pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje”.
“Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë. Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm.”, ka thënë ai.
Sot në një konferencë për media, kryetari i LDK’së Lumir Abdixhiku tha se ka marrë iniciativën që të nisë diskutimet për krijimin një Qeverie Nacionale të Tranzicionit ku kryeministri dhe kabineti do të jenë unifikues. Mandati i kësaj qeverie sipas Abdixhikut do të jetë deri në zgjedhjen e presidentit vitin e ardhshëm.
Ai tha se pozitivisht këtij propozimi i është përgjigjur Ramush Haradinaj i AAK’së./GE