Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, në një intervistë ekskluzive për EURO n’T7, ka folur edhe për arsyet pse është lëkundur besimi i bizneseve në këtë administratë.
Sipas tij, për kontrollet që janë realizuar nga inspektorët e ATK-së dhe ndëshkimet që iu janë dhënë bizneseve, ka evidencë, dhe nëse dikush ka bërë ndëshkime duke iu shmangur ligjit apo rregulloreve të brendshme, do të ndëshkohet.
“Bizneset nuk duhet ta shohin ATK-në vetëm si ndëshkuese të tyre, por si institucion që i këshillon të mos bëjnë gabime që më pas mund t’u kushtojnë shumë. Janë 72 faktorë që duhet të përmbushen para se një biznes të futet në kontroll dhe të paraqesë rrezik për evazion fiskal. Deri më tani, drejtoritë rajonale kanë pasur të drejtën, me vlerësimin e tyre, ta fusin në kontroll një biznes. Tani nuk do të ndodhë më kështu — para se të ndodhë kontrolli në biznes, Departamenti i Riskut do ta trajtojë për të parë nëse realisht ka rrezik që ai biznes t’i ikë tatimit.
Deri më tash, 10% e vendimmarrjes ka qenë në dorë të inspektorëve dhe drejtorive rajonale për të vendosur kë do ta kontrollojnë — por tashmë nuk e kanë as këtë 10%. Arsyeja është që të jemi sa më objektivë në punën tonë,” ka thënë drejtori i ATK-së.
Hyseni ka folur edhe për Kodin e Ri Disiplinor të ATK-së, i cili është titulluar “Më pak liri për punonjësit e ATK-së, më shumë liri për bizneset.”
Kjo, sipas tij, nënkupton se do të ketë kontroll dhe monitorim më të rreptë ndaj inspektorëve që shpesh japin ndëshkime që mund ta çojnë deri në falimentim një biznes të caktuar.
“Nëse një biznes është kontrolluar nga një inspektor dhe ka dalë me një ngarkesë shtesë prej 200 mijë eurosh, dhe më pas një tjetër kontroll ka konstatuar se duhej ngarkuar vetëm me 50 mijë — ai inspektor ka bërë shkelje të rëndë të detyrës. Nëse diferenca mes kontrollit të parë dhe të dytë është vetëm 10%, është shkelje e lehtë; por nëse është 20% e tutje, është shkelje e rëndë. Ne kemi kërkuar nga inspektorët që ta bëjnë matjen e saktë, dhe përmes odave kemi përcjellë mesazhin: ankohuni sa më shumë, në mënyrë që ta pastrojmë çështjen e brendshme.
Normalisht, ankesat e bizneseve do të trajtohen nga nivelet e brendshme dhe nga gjykatat, dhe ai inspektor që del se ka bërë gabim, do të ndëshkohet,” ka shtuar kreu i ATK-së.
Deri më tani, ka pasur rreth 2000 ankesa të bizneseve për ndëshkimet, ndërsa tani ky numër ka shkuar mbi 5000.