Agjencia Kosovare fajësohet për mashtrim të bashkatdhetarëve me bileta fluturimi.Bashkatdhetarë të shumtë po pretendojnë se janë mashtruar nga kompania ajrore “Prishtina Jet”. Ata po e akuzojnë këtë aviokompani se ka shitur bileta pa mbulesë. Vlen të theksohet se nuk është hera e parë që kjo agjenci po bënë mashtrime me ofertat e tyre, sipas mërgimtarëve.
E fluturimi i planifikuar për të cilin kanë blerë bileta, ata thonë se nuk ka figuruar në asnjërin prej aeroporteve prej ku do të niseshin e ku do të mbërrinin.
Raportohet se sot janë anuluar dy fluturime në drejtim të Prishtinës. Njëri nga Bazeli e tjetri nga Shtutgarti.
Image
Agjencia “Prishtina Jet”, përmes ofertave të ndryshme me anë të faqeve të internet po vazhdon të joshë bashkatdhetarët me bileta më çmime shumë më të ulëta sesa është vlera reale e tyre në treg, por e gjitha kjo për mërgimtarët është mashtrim nga ana e kësaj agjencie me fakte dhe argumente.
Albinfo.ch raporton se vetëm në dy-tri ditët e fundit kanë mbetur qindra udhëtarë nëpër aeroporte të bllokuar. Biletat janë të paguara, ata thonë se nuk ka figuruar fluturimi në asnjërin prej aeroporteve prej ku do të niseshin e ku do të mbërrinin.
Lidhur me këtë temë, albinfo.ch ka tentuar disa herë të kontaktojë agjencinë “Prishtina Jet”, por kjo kompani nuk ka dhënë asnjë sqarim, duke mbyllur dhe shmangur pyetjeve të medias.
Vlen të theksohet se pronarë të kësaj agjencie janë Mentor Kazazi dhe Arbër Blakçori.
Agjencia thuhet se është i regjistruar në Slloveni, ndërsa Call Center për shitjen e biletave e kanë në Kosovë.
Thuhet se kjo agjenci rezervon avion në Bullgari, siç është rasti me ALK Airlines dhe pastaj nuk e paguan shumën e rezervimit dhe kështu ata e anulojnë. Pra, nuk dërgojnë avionë fare në destinacion. Mërgimtarët thënë se ky është një mashtrim tipik i kësaj kompanie.
Gjatë raportimit, u mësua se edhe sot në mbrëmje janë anuluar dy fluturime nga agjencia “Prishtina Jet”.
Mërgimtari nga Zvicra, Sahit Aliaj, tregon për albinfo.ch se ai së bashku me familje ka blerë bileta nga kjo agjenci për të udhëtuar nga Bazeli drejt Kosovës dje, por në momentet e fundit është kontaktuar nga agjecia se është shtyrë fluturimi.
“Unë flutuimin e kam pasur dje, për më kanë njoftuar se fluturimi është shtyrë për sot në orën 15:00. Ndërsa sot kur shkova në aeroport, kuptova se fluturimi sërish është anuluar. Për mua është hera e parë që kam blerë bileta nga agjencia “Prishtina Jet” dhe jam i shokuar me mostransparencën e tyre, duke më humbur edhe pushimin që kisha plane të kaloja në Kosovë”, shprehet mërgimtari Aliaj.
Nga ana tjetër, edhe Korab Bazajliu, mërgimtar nga Zvicra, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij kanë disa orë që po presin në aeroportin e Bazelit. Ata kanë marrë biletat nga agjencia “Prishtina Jet” dhe fluturimi i tyre ka qenë i paraparë të ndodhë disa orë më herët, por kjo nuk është duke u realizuar.
“Është hera e parë që kam bërë rezervim nga agjencia “Prishina Jet” dhe ka disa orë që po presim në aeroportin e Bazelit për të udhëtuar drejt Prishtinës. Agjencia na thërret çdo gjysmë ore, se duhet të presim, janë bërë disa anulime etj. Ne jemi duke u maltretuar këtu, aq më shumë, fëmijët që janë të vegjël dhe nuk ka as ulëse. Të paktën të na njoftojnë që të mos presim dhe të kthehemi në shtëpitë tona në Zvicër”, tregon ai.