Policia e Kosovës ka njoftuar se në Gjilan një personi i është konfiskuar patentë shoferi për tre muaj.
Siç njofton Policia, një kundërvajtës në zonën ku kufizimi i shpejtësisë së lejuar është 50 km/h është hasur duke vozitur me shpejtësinë 103 km/h.
“Drejtoria rajonale e policisë Gjilan, Njësiti rajonal i komunikacionit rrugor Gjilan në kuadër të zbatimit të Planit Operativ ‘Siguria në trafikun rrugor’ me qëllim të parandalimit të aksidenteve të trafikut e me theks të veçantë atyre me fatalitet, ka mbajtur pikë kontrolli të automjeteve në fshatin Miresh, rruga për Kamenicë. Në këtë pikë të kontrollit ka hasur në një kundërvajtës i cili në zonën ku kufizimi i shpejtësisë së lejuar është pesëdhjetë (50) km/h duke vozitur me shpejtësinë njëqind e tre (103) km/h”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia shton tutje se të njëjtit i është shqiptuar gjoba në vlerë prej 300 euro, konfiskuar patentë shoferi me masa e përkohshëm e ndalim vozitjes në afat prej 3 muaj dhe 3 pikë negative.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon vozitësit që t’i respektojnë normat dhe ligjet e trafikut rrugor. Po ashtu inkurajon mediat dhe qytetarët që për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion të njoftojnë Stacionin më të afërm të Policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’”, thuhet në njoftim.