Angela Merkel ka paralajmëruar se Gjermania është shumë pranë humbjes së kontrollit ndaj koronavirusit.
Ajo iu tha kolegëve të saj nga CDU këtë mëngjes se situata është alarmante.
Në takimin e CDU-së, ku edhe u vendos që të shtyhet kongresi i partisë pikërisht për shkak të krizës së COVID, kancelarja paralajmëroi për muaj shumë të rëndësishëm përpara.
Të premten, ajo do të mbajë një takim me liderët e 16 landeve ku pritet edhe të bien dakord për kufizime më të ashpra në shkallë kombëtare krahasuar me ato që janë në fuqi, përcjellë tch.
Merkel ndërkohë e shfrytëzoi podcastin e saj të përjavshëm, në fundjavë, për të insistuar sërish se njerëzit nuk janë të pafuqishëm për të kontrolluar virusin dhe u bëri apel atyre të reduktonin kontaktet pasi kjo ishte masa më efikase për ta luftuar atë.
Jens Spahn, ministri i Shëndetësisë që është në karantinë pasi rezultoi pozitiv, në një video-mesazh, i bëri apel gjermanëve të mos besojnë ata që po përpiqen të minimizojnë ashpërsinë e virusit duke shtuar se sistemi shëndetësor i vendit ishte në rrezik nëse numri i rasteve të reja nuk do të mbahej nën kontroll.
Autoritetet në Berlin ndërkohë kanë thënë se ata nuk po munden më të ndjekin dhe gjurmojnë kontaktet e të infektuarve për shkak të mungesës së burimeve dhe se do të bazoheshin te përgjegjësia e vetë të infektuarve për t’u vendosur në izolim dhe për të kontaktuar njerëzit me të cilët kanë qenë në kontakt.