Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen pasditen e së hënës në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Fillimisht kryediplomati i BE-së, Josep Borell, do të ketë takime të ndara me të dy liderët, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për këtë proces, Miroslav Lajçak.
Më vonë do të zhvillohet takimi i përbashkët.
Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.
/GazetaSinjali/