Të nderuar miq dhe qytetarë të Republikës së Kosovës.
Kosova gjendet para zgjedhjeve të përgjithshme, përmes të cilave do të përcaktohet përbërja e re e Kuvendit të saj. Në këtë garë jam kandidat për deputet nga NISMA Sociademokrate e Kosovës me numër 73.
Këtyre zgjedhjeve u japin rëndësi të veçantë momenti në të cilin mbahen, pra, kur vendin tonë e presin sfida dhe vendime të mëdha.
Duke pasur parasysh këtë, mendoj se askush nga ne nuk duhet të qëndrojë para atdheut dhe problemeve me të cilat përballet ai, duke u munduar të gjejë njëmijë mënyra për t’iu shmangur obligimeve e përgjegjësive që ka, si qytetar, ndaj tij.
Unë, si deputet në Kuvendin e Kosovës, zotohem fuqishëm se do të angazhohem pa u ndalur në bërjen e Kosovës vend të mundësive të barabarta për secilin; vend në të cilin fuqia e ligjit dhe dora e shtetit është e njëjtë për të gjithë; vend në të cilin njerëzit do të vlerësohen në bazë të asaj që i japin e jo asaj që i marrin shoqërisë; vend në të cilin morali e politika nuk janë dy gjëra të kundërta e të papajtueshme, por dy faqet e të njëjtës fletë, në të cilën do të shkruhet e ardhmja jonë; vend në të cilin mund të jesh i suksesshëm në politikë edhe duke qenë krejtësisht i ndershëm.
Dalshim faqebardhë e veç ditë të bardha e pritshin vendin tonë!
Me respekt, Mervan Rexhepi!