Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit, e cila është nëser (e diel). Në këtë mesazh të Hazirit, thuhet:
“Të nderuar qytetarë të komunës së Gjilanit,
Të nderuar bashkatdhetarë kudo që jeni, në Europë, Amerikë e në botë,
I nderuar kryetar i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu,
Të nderuar imamë të xhamive të komunës sonë,
Më lejoni që t’ju urojë festën e Fitër Bajramit me lutjen që Zoti t’ua ketë pranuar agjërimin, sakrificën dhe mundin tuaj, duke u bërë shembull i solodaritetit me të uriturit, të varfërit dhe ata që sfidohen në jetë.
Është obligim dhe zotim i këtij muaji që po e mbyllim që lutjet dhe solidariteti të vazhdojë për cdo familje. Ne e kemi për obligim qytetar e njerëzor ndaj vetës, familjes dhe ndaj Zotit, që çdokujt t’i ofrojmë sofër të bollshme, mundësi pune e jete të barabart për të gjithë.
Meqë jemi në kohë pandemie Covid-19, ju lutem shumë që të festoni vetëm me familjet tuaja dhe ta merrni shembullin e profetit Muhamed i cili në raste të tilla infeksioni ka thënë: “Nëse dëgjoni për ndonjë epidemi të murtajës në një vend, mos shkoni atje, nëse ka epidemi në vendin ku ndodheni, mos u largoni”.
Urime Fitër Bajramin dhe e lusim Zotin që Bajramin tjetër ta festojmë si i ka hije!”, thuhet në mesazhin e urimit.