Në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Bajram Ismajli, i cili ditë më parë ka ndërruar jetë në moshën 63- vjeçare, organizuar nga Shkolla e Mesme e Ultë “Thimi Mitko”, ku së fundmi Bajram Ismajli kishte punuar profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, është organizuar një mbledhje përkujtimore, shkruan kryelajmi.com. Atë ka hapur drejtoresha e shkollës, Sevdije Sadiku, e cila ka çmuar lart veprën dhe kontributin e profesorit Bajram Ismajli, duke theskuar se Bajram Ismajli do të mbahet në mend si profesor i përkushtuar e i përpiktë në punë, i dashur për kolegët dhe nxënësit dhe i atillë që gjithmonë rrezatonte urti, dije e dashuri.
Djali i tij Gentrit Ismajli, ka theksuar se kjo shkollë dhe kolegët e tij të punës, shumë shpesh kanë qenë pjesë e diskutimeve të babait të tij. Ai ka thënë se babai i tij ka qenë tejet i përkushtuar për arsimin dhe tërë jetën i ka kushtuar edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj dhe për këtë do të mund të fliste me orë të tëra, por se familja Ismajli është e nderuar dhe falënderuese për këtë organizim për të nderuar jetën dhe veprën e babait të tij Bajram Ismajlit.
Ish-nxënësja dhe së fundi edhe kolege Bajram Ismajlit, Arba Aliu, ka thënë se ishte lajm i trishtë për vdekjen e arsimtarit dhe kolegut Bajram Ismajli, ngase biseda me të çdoherë të jepte një ndjesi të veçantë, kishte gjithherë një batutë për një ngjarje të pazakontë, fjalët e tij të jepnin çdoherë motiv e dashuri për punën dhe këto janë përshtypjet e secilit kolegë e unë si nxënëse e Shkollës Fillore në Livoç, ku isha nxënëse e arsimtarit Bajram dhe e kësaj shkolle si mësimdhënëse pata fatin që t’a kem mësimdhënës e koleg. Ai si mësimdhënës dha rezultat të madh, prej ligjërimeve mbresëlënëse dolën shumë gjenerata të arta, gjuhëtarë, profesorë e mësues, të cilët u mbushën me motiv për t’a dashur e për t’a studiuar gjuhën shqipe.
Bajram Ismajli, profesori i Gjuhës dhe Letërsis Shqipe në Shkollën e Mesme të Ultë “Thimi Mitko” në Gjilan ka ndërruar jetë në agun e të shtunës dhe me nderime është varrosur në Varrezat e Qytetit në Gjilan./kryelajmi.com/.