Sindikata e Bashkuar e Arsimit, për vite të tëra ka kërkuar nga institucionet qeveritare që t’u krijohet mundësia e pensionimit të parakohshëm mësimdhënësve me probleme shëndetësore. Shumë prej tyre që kanë probleme të kësaj natyre janë ballafaquar me vështirësi të shumta, pasi, sipas ligjit, brenda një viti u takojnë vetëm 20 ditë të pushimit mjekësor, ndërsa ka sëmundje që kërkojnë pushim më të gjatë. Ata detyrohen të punojnë për të mos humbur vendin e punës.
Arsimtarja e Gjuhës Shqipe në Shkollën “Dardania”, në Prishtinë, Kimete Beqiri, e cila punon në arsim prej 35 vitesh, tregon se ka probleme shëndetësore dhe se është operuar disa herë nga tumori. Ajo tregon se për të ruajtur vendin e punës, është ballafaquar me shumë vështirësi, duke punuar edhe në gjendje të rëndë shëndetësore. Asaj i është lejuar vetëm pushimi mjekësor prej 20 ditësh me pagesë, edhe pse kjo sëmundje kërkon trajtim më të gjatë.
“Sëmundja e tumorit është shumë e rëndë, me dhimbje e probleme shumë të mëdha. Më 9 nëntor i kam bërë tri vite që jam operuar. Jam paralizuar dhe kur kam bërë rezonancën, është vërtetuar se unë vuaj nga tumori në veshin e mesit. Problemet edhe sot vazhdojnë. Puna në arsim është shumë e ndjeshme dhe është shumë problem në këtë gjendje siç jam unë. Nuk kemi përkrahje nga askush, përveç kolegëve dhe nga drejtoria. Asnjëherë nuk më kanë ofruar asnjë ndihmë. Dy vite kam qenë pa pagesë, edhe atë më vështirësi e kam marr në vitin e dytë, sepse nuk na takojnë dy vite pa pagesë”, tha Beqiri.
Mësimdhënësja Beqiri ka thënë për Radio Kosovën se sëmundja e saj ka nevojë të trajtohet më gjatë dhe se shpeshherë nuk është në gjendje të dalë para nxënësve. Ajo kërkon nga institucionet që kjo kategori e mësimdhënësve të pensionohet para kohe ose të kenë asistentë në klasë. Ajo tashmë është 58 vjeçare dhe i duhet të punojë edhe shtatë vjet për t’u pensionuar.
“Vështirësi kam në të folur, harroj gjërat. Në njëfarë forme unë jam shumë pak në gjendje për të mbajtur një orë normale të mësimit. Kisha kërkuar të kemi një asistente afër ose në pension të parakohshëm”, tha ajo.
Sindikata e Arsimit me vite të tëra ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, që kësaj kategorie të mësimdhënësve t’u mundësohet pensionimi i parakohshëm, pasi shumë prej tyre nuk janë në gjendje të japin mësim. Nënkryetarja e Sindikatës, Vjollca Shala, tha për Radio Kosovën se kanë kërkuar që mësimdhënësve me probleme shëndetësore t’u mundësohet një pension me 70 për qind të pagës së tyre.
“Është një numër shumë i madh i mësimdhënësve të cilët nuk janë mirë me shëndet, por patjetër atyre u duhet që përkundër gjendjes së tyre, të japin mësim para nxënësve. Ne e dimë që mësimdhënësit me probleme me shëndet nuk mund të jenë efikas në orën e mësimit. Ministria e Punës duhet të krijojë një skemë të veçantë pensionale për këta mësimdhënës, të cilët nuk janë mirë me shëndet”, tha Shala.
Drejtori i Institutit të Onkologjisë, Ekrem Hyseni, ka kërkuar që të bëhen ndryshime ligjore, në mënyrë që pushimi mjekësor për pacientët me kimioterapi të bëhet me pagesë.
“Trajtimi i tyre bëhet gjashtë muaj, ndërkohë që pushimi me pagesë është shumë i shkurtër dhe shumë prej tyre detyrohen të shkojnë në punë edhe pse nuk janë të gatshëm për punë, por për shkak të nevojave financiare detyrohen. Mendoj që do të ishte shumë e drejtë që të kenë të drejtën e pushimit mjekësor me pagesë 100%, gjatë gjithë kohës së mjekimit me kimioterapi”, tha Hyseni.
Këshilltari në Ministrinë e Arsimit, Valmir Gashi, ka thënë për Radio Kosovën se ministri Bytyqi ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm, duke u takuar edhe me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe me drejtoritë komunale të arsimit. Ai bëri të ditur se është formuar një grup punës, i cili është në finalizim të një Udhëzimi Administrativ, në mënyrë që kjo çështje të rregullohet edhe me infrastrukturë ligjore.