Mësimdhënësit e viteve ’90 – ’99 duan kompensimin e menjëhershëm – paralajmërojnë ndërprerjen e të gjitha angazhimeve në shkolla…
Mësimdhënësit kërkojnë nga qeveria të mbyllet komedia rreth mësimdhënësve të viteve ’90 – ’99, dhe të fillohet me veprime konkrete në jetësimin e projektligjit për kompensim të kësaj kategorie shoqërore, duke nisur këtë vit. Për ata që janë në mësimdhënie aktive kompensimi t’u bëhet në kuadër të pagave mujore, e pensionistëve përmes pensioneve. Kjo çështje nuk mund të kthehet prapa.
Kërkohet reagimi urgjent i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK-u) për dilemat dhe kundërshtimet e fundit që janë shpeshtuar kundër mësimdhënësve të kohës së okupimit 1990-1999.
Mësimdhënësit janë të vendosur t’i kundërshtojnë zërat proserbë në Kosovë, siç e kundërshtuan atëherë okupimin dhe organizuan qëndresën – sistemin paralel arsimor.
Mësimdhënësit që më shkruan sot deklaruan se nuk u intereson çfarë thonë burokratët e FMN-së, mësimdhënësit do ta mbrojnë të drejtën e tyre!
Mësimdhënësit do të ndërmarrin të gjitha veprimet që Projektligji për kompensimin e mësimdhënësve të viteve ’90 të jetësohet sa më shpejtë dhe të nisë zbatimi brenda këtij viti.
Nga mësimdhënësit që kanë punuar atëherë dhe ende vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre, kërkohet që kompensimi të fillojë të zbatohet sivjet dhe jo kur të dalin në pension. Ata që janë në mësimdhënie aktive të marrin kompensimin në kuadër të pagës që marrin, ndërsa ata që tashmë janë pensionuar kompensimin ta marrin me pension.
Injorantët në Kosovë, madje edhe këta të Ministrisë së Financave, ai i sindikatës së adminsitratës dhe i shëndetësisë, që kundërshtonin pojektligjin për mësimdhënësit e viteteve ’90 i janë gëzuar deklarimit të FMN-së!
Mirëpo, kundërshtarët e projektligjit për kompensimin e mësimdhënësve të viteve ’90 -’99 të mos i “fërkojnë” duart nga lumturia e sëmurë, se nuk ka kthim prapa, sepse ky projektligj nuk ka qare pa u vënë në jetë.
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përmbyllur vizitën në Prishtinë, të zhvilluar në datat 30 maj – 5 qershor. Në fokus të agjendës ishin zhvillimet e fundit ekonomike dhe perspektiva ekonomike e Kosovës.
“Misioni këshilloi të mos vazhdojnë përpara me projektligjin aktual të kompensimit të mësuesve, për shkak të kostove të mëdha fiskale direkte dhe indirekte, të cilat do të rëndojnë buxhetin për shumë vite dhe do t’i zënë vendin shpenzimeve të tjera prioritare”, thuhet në deklaratën e FMN-së.
Para disa vitesh FMN-ja pati kërkuar që pagat e mësimdhënësve të mos rriteshin, e atëherë pagat ishin diku 230 euro, por kjo kërkesë nuk qe përfillur nga kryeministri i atëhershëm, tash presidenti Hashim Thaçi.
Këta që po e kundërshtojnë Projektligjin për kompenzim të mësimdhënësve të viteve 1990 – 1999, e që janë zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe të tjerëve, si dhe të ndonjë sindikate të administratës e shëndetësisë, po ju kërkojmë të na ofrojnë ndonjë dëshmi se në ç’mënyrë e kundërshtuan okupimin dhe cili ishte sistemi i tyre organizativ.
Zv.ministri i Financave tha se “duke i kompensue vetëm mësimdhënësit mos po iu hyjmë të tjerëve në hak”! A ka më ironike e më skandaloze?!
Për këtë po shkëpus reagimin e profesorit universitar Bahtijar Kryeziu:
Sigurisht se ka njerëz e kategori “të tjera që mund t’iu hymë në hak”, bie fjala tregtarëve të cilët me ligje të Serbisë filluan dhe vazhduan tregtinë; gjykatësve të cilët me ato ligje hapen avokatura dhe “i mbrojtën” mësimdhënësit kur kishin punë me pushtetin serb; mjekëve të cilët po me ato ligje hapen ordinanca private dhe besa “mirë” i trajtonin mësimdhënësit, kurse mësimdhënësit, për ato vite, patën kërbaçin mbi kokë, për organizimin e mësimit paralel, duke e sfiduar Serbinë që të mos përfillen ligjet e saj në Kosovë. /N.B./