Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të martën do ta nënshkruajnë marrëveshjen për formimin e Qeverisë së re.
Kështu kanë bërë me dije burimet të Insajderit. Marrëveshja pritet të arrihet pas gjashtë takimeve që kanë ndodhur ndërmjet dy grupeve punues.
Mbrëmë ka qenë takimi i fundit i cili është mbajtur, dhe në takim është diskutuar për pjesën programore të marrëveshjes. Takimet e radhës, u njoftuan se do të jenë në nivel liderësh.
Deri tani, dihet se Qeveria e re sipas gjitha gjasave do të ketë gjithsej 12 ministri – por ende nuk dihet saktë se si do të bëhet ndarja mes dy partive.
Madje zyrtarët e Vetëvendosjes dhe ata LDK-së kanë hezituar të flasin dhe për emrat duke thënë se për këtë çështje vendosin dy liderët: Albin Kurti dhe Isa Mustafa, shkruan Insajderi.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur të sigurojë 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës, teksa Lidhja Demokratike 29.