Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për statusin e punëtorëve të Arsimit të viteve 1990/99.
Ligji në fjalë ishte premtuar për shumë vite radhazi nga autoritet kompetente të arsimit në Kosovë, por që u arrit të votohej dhe miratohej vetëm para dy ditësh në seancë.
Si pasojë e mos-votimit të deritanishëm të këtij ligji, shpesh herë pati edhe ndërprerje të mësimit në shkolla nga paralajmërimet e Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë për plotësimin e kërkesave të tyre.
E me fillim nga muaji i ardhshëm shtesa më e lartë të cilën do të përfitojnë mësimdhënësit nga ky ligj në pensione është 95 euro.
Kjo gjë është bërë e ditur për Indeksonline nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.
Bytyqi ka ritheksuar se shtesa më e lartë është 95 euro kurse më e ulëta 19 euro.
“Të drejtën për të përfituar shtesë që në momentin kur del në pension e kanë të gjithë ata që kanë kontribuar përgjatë viteve 1990/99 në arsim. Pra deri në ditën kur arrin moshën për pension, nuk përfiton nga këto shtesat. Shtesat i marrin që në momentin kur pensionohen, pra në ditën kur del në pension personi në fjalë ka të drejtë të aplikojë për këtë shtesë që parasheh Ligji, pastaj shumat ndahen varësisht se sa kanë punuar në ato vite. Shtesa më e lartë që do të përfitojnë mësimdhënësit nga ky ligj në pensione është 95 euro, ndërsa më e ulëta 19 euro. Sipas pagës në ligjin e ri”, ka thënë Bytyqi.
Por Indeksonline posedon edhe listën e shtesave që do të marrin nënkategoritë.
Një vit punë, 3.46% apo 19 euro, dy vite punë, 5.19% apo 28.52 euro, tre vite punë, 6.91% apo 38 euro, katër vite punë, 8.64 apo 47.50 euro, pesë vite punë, 10.37% apo 57 euro, gjashtë vite punë, 12.10% apo 66.51 euro, shtatë vite punë, 13.83% apo 76 euro, tetë vite punë, 15.56% apo 85 euro, nëntë vite punë, 17.28% apo 95 euro.
Lidhur me miratimin e Ligjit për statusin mësimdhënësve të viteve 1990/99, Indeksonline ka kontaktuar edhe kryetaren e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Teuta Haxhiu.
Haxhiu është shprehur mjaft e kënaqur me miratimin e këtij ligji, duke deklaruar se nga çdo rritje të pagës bazë që do të bëhet, kësisoj do të ketë edhe rritje të kompensimeve.
“Ndarja e përfituesve bëhet në bazë të kualifikimeve se si iu ndahen, pra ka të bëjë me një kompensim shtesë që bazohet në vitet e punës së tyre të asaj periudhe të kompensimeve shtesë të pensioneve që marrin, domethënë në çfarëdo pensioni që marrin në bazë. Pra për një vit punë të kësaj periudhe është 3.46% të pagës bazë në arsimin fillor, do të thotë fillohet me këtë për një vit për të vazhduar me më shumë. Shtuar kësaj, aktualisht të gjithë ata që janë në pension në këtë periudhë do të marrin menjëherë muajin tjetër këtë shtesë, por ajo që është edhe më e rëndësishme nga Ligji për Pagat, ku rritet paga bazë për arsimin fillor që i bie që pas kësaj prapë ka rritje të kësaj shtese”, ka thënë Haxhiu.
Tutje ajo shtoi se që nga muaji i ardhshëm të gjithë këta mësimdhënës që arrijnë pensionin, do t’i marrin kompensimet e viteve 1990/99. “Kompensimi pra fillon qysh muajin tjetër, por në momentin që hy në fuqi Ligji i Pagave pra sa herë që rritet paga bazë ka rritje edhe të kësaj shtese. Ndarja është bërë për të gjitha kategoritë, por pensioni se si ndahet është çështje tjetër që vendoset nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka përfunduar Haxhiu.