Reshovi i shkollës po del të ketë qenë arsyeja që solli deri te konflikti fizik në mes të drejtorit dhe një mësimdhënësi të shkollës “Rexhep Mala”, në Kamenicë. Ata janë përleshur mes vete të martën gjatë orarit mësimor, duke i shkaktuar njëri-tjetrit lëndime trupore. Me rastin po merret Prokuroria e Gjilanit, derisa në DKA thonë se kjo nuk është hera e parë që drejtori e mësimdhënësi përfshihen në një konflikt të tillë.
Një përleshje fizike ndodhi të martën në Shkollën “Rexhep Mala”, në Topanicë të Kamenicës. Por, këtë herë në këtë incident u përfshinë drejtori i shkollës dhe vetë mësimdhënësit.
Në vend të mësimit, ata përfunduan duke i dhënë dajak njëri-tjetrit.
Gjithçka filloi kur Drejtori i Shkollës, Qazim Morina ua ndaloi mësimdhënësve që ta përdornin pllakën ngrohëse të shkollës për të zier kafe sikurse bënin çdo ditë gjatë pauzës.
Ai e kishte dhënë këtë urdhëresë të martën, për ta kursyer energjinë elektrike.
Por, kjo urdhëresë e të parit të shkollës nuk u prit edhe aq mirë. Madje, përfundoi edhe me përplasje fizike në mes të stafit të kësaj shkolle.
Në këtë incident u përfshinë vetë Drejtori Morina dhe dy mësimdhënësit e kësaj shkolle, Avdi Morina dhe Shefqet Selmani.
Morina, i cili për 30 vite punon në këtë shkollë, ka shpjeguar se si erdhi deri te përplasja fizike, shkruan gazeta express.
Ai thotë sa gjithçka filloi, kur Drejtori ua ndaloi që ta përdoronin pllakën ngrohëse (reshonë ose reshovin sic njihet në gjuhë popullore).
“Jam dal prej mësimi edhe e pyeta shërbëtorin, a e ke lëshu reshovin. Më tha jo se drejtori ka thënë që mos me e lëshu më. Kur i dëgjova ato fjalë nuk më erdhën mirë se qe 30 vite pimë kafe, edhe nuk e kam pengu kurgjo hiç, se reshovi nuk është i drejtorit, por i shkollës.
Për këtë urdhëresë të drejtorit, Morina kishte diskutuar më një koleg tjetër e këtë bisedë që kishte edhe të shara, e dëgjoi edhe mësimdhënësi tjetër i përfshirë në konflikt, Shefqet Selmani.
“Arsimtari duke kaluar nga ne i dëgjoi ato fjalë edhe pasi që u kry ora e katërt e mësimit ka hy të drejtori edhe janë marrë vesh me të e janë fut në sallë të arsimtarëve me ditar në dorë edhe në prezencën tem e ka përplas ditarin, edhe tha s’lejoj me ma sha dikush nanën”.
E menjëherë pas këtyre fjalëve, Morina thotë se Drejtori ndërhyri dhe e sulmoi.
“Duke biseduar më të kam qenë kur ndërkohë në zyrë u fut drejtori edhe ma ka ngjit për gjyksi më ka thanë s’ki drejtë me bisedu me arsimtarin. Unë i thash largohu more çka erdhe ti këtu edhe po më sulmon…edhe e kom shty”, tregon Morina.
Por, Drejtori i Shkollës, Qazim Morina ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në këtë konflikt fizik, por nuk ka dhënë detaje të tjera për rastin.
E pavarësisht që Morina tentoi që ta minimizojë incidentin, T7 raporton se gjatë ditës në shkollën që ai drejton u pa edhe inspektorati i punës.
Me këtë rast po merret edhe Prokuroria Themelore e Gjilanit.
Në Prokurori thonë se rasti është inicuar si lëndim i lehtë trupor dhe se është duke u trajtuar në procedurë të rregullt.
“Sa i përket rastit në fjalë, ju njoftojmë se më 12 mars 2019, në shkollën fillore në fshatin Topanicë, komuna e Kamenicës, drejtori i shkollës dhe një arsimtar, për shkak të një mosmarrëveshje të rastit, janë kacafytur mes vete, me ç’rast drejtori i shkollës ka pësuar lëndime të lehta trupore – gërvishje”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë.
E në Drejtorinë për Arsim në këtë komunë thonë se kjo nuk është hera e parë që drejtori dhe mësimdhënësi janë përfshirë në një konflikt të tillë.
Mosmarrëveshje të tillë, sipas DKA’së ata kanë pasur edhe në prill të vitit të kaluar.
“Duke marrë për bazë faktin që mosmarrëveshjet në mes Drejtorit dhe mësimdhënësit kanë ndodhur edhe më parë, më datë 24.04.2018 për të dy palët në këtë konflikt është përcjellë Rekomandim nga drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit për respektimin e Kodit të Mirësjelljes dhe Rregullave të Shkollës, por fatkeqësisht mosmarrëveshjet verbale kanë vazhduar edhe më pas”, kanë thënë në DKA.
“Tani që ky rast ka kaluar nga Policia e Kosovës te Prokuroria Themelore, ne do të presim përfundimin e shqyrtimit të tij dhe do të veprojmë bazuar në atë me të cilën do të obligohemi në përfundim të procedurës”, thuhet në përgjigjet e Drejtoreshës për Arsim.
Ndërkohë, për këtë incident ka njoftuar dje edhe Policia Rajonale e Gjilanit.
Sipas policisë, dyshja kishte një mosmarrëveshje në korridor, e më pas në lokalin e punëtorëve teknik, që përfundoi me përleshje fizike. Ndërkohë, që rasti ishte raportuar nga vetë drejtori.
“Me 12 mars 2019, rreth orës 11:23, ankuesi drejtor i shkollës fillore “Rexhep Mala” , në fshatin Topanicë , komuna Kamenicë raporton, policisë së Kosovës në Kamenicë se pas një mosmarrëveshje qe kishte në korridorin e shkollës , e me pas në lokalet e punëtorëve teknik është sulmuar fizikisht nga njëri prej mësuesve të kësaj shkolle, me ç ‘rast ai ka pësuar lëndim të lehtë trupor sipas raportit mjekësor. Rasti procedohet në PTH”, thuhej në njoftimin e Policisë