Një ditë pasi SBASHK-u arriti marrëveshje me Qeverinë për koeficientin e pagave, kanë reaguar edhe disa mësimdhënës të klasave fillore të ulëta, të cilët janë shprehur të pakënaqur dhe kanë paralajmëruar largimin nga kjo sindikatë.
Në grupin “Mësimdhënia në Kosovë” një mësuese ka propozuar largimin nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
“O mësues të klasave 1-5, juve që nuk iu barazuan me mësimdhënësit lëndor, a jeni që t’ia kthejmë shpinën SBASHK-ut? Neve nuk na përfaqësoi dinjitetshëm”, ka shkruar ajo.
Mësuesja në fjalë ka gjetur përkrahje nga shumica e kolegëve të saj, të cilët janë shprehur pro largimit nga SBASHK-ut.
“Duhet të largohem menjëherë nga sindikata”, “Unë jam për largim nga kjo sindikatë”, “Jemi të pajtimit”, “Po, edhe atë në afat sa më të shpejt”, “Kjo është marre çka kanë bërë”, “Që nesër do të largohem”, “Çka na duhet kjo sindikatë më”, janë vetëm disa nga komentet që iu janë përgjigjur propozimit për largim nga SBASHK-u.
Përndryshe, SBASHK-u e ndërpreu grevën pas tri jave, pas marrëveshjes për rritje të koeficienit të pagave për rreth 20 përqind.
Përfaqësues të SBASHK-ut këmbëngulnin që nuk do të tërhiqen nga greva nëse qeveria nuk ua rritë koeficientin për 30 përqind, por tash, kur ata nuk e mbajtën fjalën e tyre, thanë se po e bëjnë për hir të nxënësve.