Superliga e Kosovës në futboll rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 10-të, të cilat pritet të sjellin disa ndeshje shumë joshëse dhe të forta, raporton Zëri.info.
Padyshim që vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Drenas, ku përballë janë dy pretendentët për titull, Feronikeli dhe Gjilani.
Kampioni në fuqi i Kosovës në këtë takim vije pas dy rezultateve jo të mira, ku ka pësuar një humbje dhe ka barazuar në një takim tjetër.
Në anën tjetër Gjilani është në formë të mirë dhe në dy duelet e fundit ka triumfuar.
Aktualisht Gjilani ndodhet e treta në tabelë me 18 pikë, dy më pak se lideri Ballkani, derisa Feronikeli është e pesta me 16 pikë.
Trajneri i Gjilanit Gentjan Mezani drejt Drenasit udhëton me disa probleme, sidomos me lëndimin e Oltion Rrapës, i cili duket se ka një lëndim serioz dhe do ta ketë vështirë ta ndihmojë ekipin në pjesën e mbetur të stinorit vjeshtor.
Më herët Gjilanit i është lënduar edhe mbrojtësi tjetër i ardhur nga Shqipëria Ylli Shameti, megjithatë Mezani ka besim në ekipin e tij.
“Ndeshjen e kemi vlerësuar shumë, pasi siç dihet e kemi përballë skuadrën kampione në fuqi, por ne do të bëjmë më të mirën e mundshme në këtë ndeshje.
Sigurisht që dëmtimet na kushtëzojnë disi, por lojtarët që do t’i aktivizoj jam i bindur se do të bëjnë shumë mirë”, ka thënë Mezani për gazetën “Zëri”, duke konfirmuar mungesën e mbrojtësit Rrapa.
“Po, ai ka pësuar një dëmtim dhe dëmtimi është bukur serioz, kështu që nuk mund të llogarisim njëherë në të”, ka përfunduar trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani.