Reshjet e vazhdueshme të borës që po vazhdojnë të bien në Kosovë të shoqëruara me erë të fortë e kanë vështirësuar qarkullimin rrugor.
Policia e Kosovës u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, dhe të shmangin aksidentet e mundshme, shkruan lajmi.net.
Por, megjithë këto vështirësi, nga ministria e Infrastrukturës po thonë se të gjitha rrugët janë të qarkullueshme.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, tha për lajmi.net se të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme, megjithë disa probleme në disa akse rrugore.
Ai bëri të ditur se kompanitë e angazhuara nga ministria janë tashmë në terren.
“Të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme. Vështirësi ka në rrugën për Prishtinë-Podujevë, si dhe tek Gryka e Kaçanikut. Edhe këto dy të fundit janë të kalueshme mirëpo se ka vështirësi”, ka thënë ai.
Kadriu po ashtu tha se vështirësi për kompanitë që po merren me mirëmbajtjen e rrugëve po paraqet edhe era e fortë në vendin tonë.
Ndërkohë, në rrugën e Prishtinë-Podujevë dhe tek Gryka e Kaçanikut, kompanitë janë angazhuar që të hedhin kripë në rrugë me qëllim lehtësimin e qarkullimit.