Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës mund të komplikohet edhe më shumë, parashikojnë njohësit e integrimeve evropiane.
Këto mëdyshje ata i mbështesin tek qëndrimet mjaft të ngurta, siç thuhet, të Francës dhe disa vendeve tjera në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, që u reflektuan edhe me mungesën e konsensusit për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Presidenti i Francës, Emanuel Macron, tha se çështja e numrit të madh të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, po ndikon që këto shtete po mbesin jashtë Bashkimit Evropian.
Kosova, aktualisht nuk është ende afër marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, por pritjet e saj janë që BE-ja të merr vendim pozitiv në lidhje me liberalizimin e vizave. Krahas problemeve me aspektet e sundimit të ligjit, një nga pengesat për Kosovën për heqjen e vizave ishte edhe numri i azilkërkuesve.
Por, bazuar në statistikat zyrtare, vërehet rënie e numrit të azilkërkueve nga Kosova drejt shteteve të BE-së.
Derisa në vitin 2015, numri i azilkërkuesve nga Kosova drejt vendeve të BE-së ishte shumë shqetësues, ky numër ka rënë dy vitet e fundit, sipas statistikave të Eurostat-it. Sipas këtyre statistikave, gjatë vitit 2018, rreth 5 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar azil në vendet e BE-së. Derisa dy vite më parë, ky numër ishte dyfish më i madh.
Ligjëruesi i së Drejtës të Bashkimit të Evropian, Artan Murati, tha për Radion Evropa e Lirë, se ka një trend në rënie, nëse krahasohet me vendet tjera, madje përfshirë edhe Shqipërinë, por prapëseprapë sipas tij, këto të dhëna për qytetarët e Kosovës, të cilët kërkojnë azil në shtetet përkatëse, janë shqetësuese.
“Si rrjedhojë konsiderohet që në momentin nëse do të hapeshin kufijtë dhe do të krijoheshin mundësi, që këta qytetarë të lëvizin lirshëm në BE, atëherë kjo do të shndërrohej në një problem edhe më të madh. Por, liberalizimi i vizave do të mundësonte që edhe më mirë të ketë një mekanizëm nga shtetet e BE-së për të pasur në kontroll se kush hynë e del nga vendet e tyre dhe nuk besoj që do të krijonte ndonjë problematikë më të madhe se që ekziston tani”, tha Murati.
Kurse Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, tha për Radion Evropa e Lirë se nëse vendimi i BE-së, përkatësisht refuzimi i Francës sa i përket procesit të liberalizimit, është vendim mbi baza të vullnetit politik, atëherë sipas tij, cili është kuptimi i kritereve teknike të cilat Kosova është dashur t’i përmbushë./REL