Gjatë një viti, në universitete publike dhe kolegjet private në Kosovë diplomojnë rreth 10 mijë studentë në nivelin Bachelor dhe më shumë se 2 mijë në nivelin master.
Në mungesë të vendeve adekuate të punës, mijëra të diplomuar detyrohen të bëjnë punë për të cilat nuk u nevojitet diploma.
A do të punonit një punë, për të cilën jeni të mbi kualifikuar?
Leonora Krasniqi, studente e Universitetit të Prishtinës, thotë se do të punonte me ndonjë punë që i përshtatet me fakultetin që e ka kryer.
“Varet, sepse ka raste që fakulteti të ndihmon vetëm për ta perfeksionuar atë lloj pune, kështu që ai do të ishte veç një lloj plusi. Pos, sipas mendimit tim, do ta shfrytëzoja këtë mundësinë që e kam diplomën dhe do të shfrytëzoja aftësitë e mia, që i kam specializuar gjatë tërë këtyre viteve. Kështu që, mendoj se do të vazhdoja me atë lloj pune që do të më përshtatej me fakultetin që e kam kryer”, tha ajo.
Kurse Florent Gorqaj, beson se kjo varet edhe nga gjendja ekonomike.
“Kjo varet prej gjendjes ekonomike, në të cilën gjendjet individi. Nëse nevoja për punë është më e madhe sesa avancimi në karrierë, normal që punon çfarë do pune, edhe nëse je i mbi kualifikuar. Varet pagesa, mënyra e pagesës, kushtet e punës.
Për Elona Leci me rëndësi është nëse puna që e bën, të pëlqen edhe nëse nuk je e kualifikuar për atë punë.
“Po, nëse është që të pëlqen ose nëse e ke pasur hobi, edhe nëse nuk je i kualifikuar për atë punë, pse jo? Është e mirëseardhur.
Ndryshe mendon Endrit Binakaj.
“Të them të drejtën nëse e shohim në aspektin normal, nuk do të punoja, por pasi tregu është pak a shumë i imponueshëm, atëherë punë është bërë, si të thuash, për vet ekzistencën, kështu që është pak si e detyrueshme që edhe nëse je i mbi kualifikuar për një pozicion të caktuar atëherë është si të thuash, e imponueshme për ta bërë atë punë, ndoshta edhe pse e bën pa dëshirë”, ka thënë ai për REL.
Sipas BERZH-it rreth 20 për qind e të rinjve në Kosovë janë të mbi kualifikuar për punën që e bëjnë. Ndërsa rreth 40 përqind janë të kënaqur me punën që e bëjnë.