Prilli i vitit 1999 shënon kapitullin më të përgjakshëm të historisë moderne të Kosovës. Ndërsa makineria e dhunës e regjimit të Slobodan Milošević vepronte me egërsi sistematike në mbarë vendin, rajoni i Anamoravës, Zhegocit dhe Karadakut (gjatë luftës pjesë e Zonës Operative të Karadakut, që përfshinte komunat Gjilan, Viti dhe Kamenicë) paraqet një rast të veçantë për studim historik dhe strategjik.
Nga analiza e të dhënave dhe kronologjisë së ngjarjeve, vërehet se pas mesit të prillit 1999, intensiteti i masakrave në këtë zonë pësoi rënie relative. Kjo, sipas vlerësimit të autorit, u ndikua nga tre faktorë kyç:
1.Rezistenca e armatosur e UÇK-së në Betejën e Zhegocit
2.Prania e përzier demografike shqiptaro-serbe
3.Afërsia me trekëndëshin kufitar Kosovë–Serbi–Maqedoni
Beteja e Zhegocit: Pikë kthese e 15 prillit 1999
Deri në mesin e prillit, forcat serbe vepronin me epërsi të plotë ndaj një popullsie të pambrojtur. Në këtë periudhë ndodhën dëbime masive dhe krime të rënda në fshatra si Smira, Tërsteniku, Lladova, Pozharani, Gjylekari, Llashtica dhe Bresalci.
Më 15 prill 1999, kodrat e Zhegocit u kthyen në arenë të një prej përballjeve më të ashpra të luftës në Kosovë. Sipas vlerësimeve ushtarake, në këtë betejë u angazhua një nga koncentrimet më të mëdha të forcave serbe gjatë gjithë luftës.
Kjo betejë nuk ishte thjesht përplasje ushtarake, por një akt i lartë sakrifice që ndaloi përshkallëzimin e masakrave ndaj popullsisë civile. Rezistenca e UÇK-së krijoi një barrierë fizike dhe psikologjike, duke detyruar forcat serbe të përqendroheshin në luftime frontale dhe jo në operacione të spastrimit etnik.
Gjatë luftimeve, u arrit të tërhiqej popullata civile drejt zonave më të sigurta, megjithëse ranë tetë dëshmorë dhe shumë martirë.
Faktori demografik dhe ndryshimi i taktikave
Ndryshe nga rajone të tjera, Anamorava karakterizohej nga përzierje e popullsisë shqiptare dhe serbe. Pas 15 prillit, përballja me rezistencën e organizuar të UÇK-së detyroi forcat serbe të ndryshonin strategji, duke shmangur përplasjet direkte dhe duke vepruar në njësi më të vogla.
Dhuna nuk u ndal, por u transformua: nga masakra masive në vrasje selektive, plaçkitje dhe dëbime sistematike drejt kufirit me Maqedoninë.
Rezistenca si digë mbrojtëse rajonale
Beteja e Zhegocit pengoi realizimin e planeve për spastrim etnik në Anamoravë dhe Karadak. Ajo u shndërrua në një “digë” mbrojtëse që shpëtoi mijëra civilë dhe detyroi armikun të konsumonte burime të mëdha ushtarake.
Pozita strategjike e kësaj zone ndikoi edhe në dimensionin rajonal të konfliktit, duke e kthyer atë në një pikë kyçe rezistence.
Dëshmia e Llashticës
Megjithëse intensiteti i dhunës ra, krimet nuk u ndalën. Masakra e Llashticës më 30 prill 1999, ku u vranë 13 civilë, përfshirë një foshnjë, mbetet një ndër ngjarjet më tragjike. Kjo dëshmon se barbaria vazhdoi, por në forma më të fshehta dhe selektive.
Përfundim
Anamorava i shpëtoi skenarëve më të errët të luftës falë rezistencës në Zhegoc dhe faktorëve gjeografikë e demografikë. Kjo ngjarje dëshmon se liria erdhi si rezultat i një ekuilibri të përgjakshëm, ku rezistenca e armatosur u bë mburojë për popullsinë civile.
Thirrje për studim dhe dokumentim
Beteja e Zhegocit meriton trajtim serioz akademik dhe institucional. Ajo duhet të përfshihet në tekstet shkollore dhe të studiohet nga studentët dhe studiuesit e rinj si një rast i rëndësishëm strategjik dhe historik.

