Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje gjatë aksionit të Policisë në Banjskë ku ai ka thënë se shihet Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe që është prijës i sulmit terrorist ndaj policisë së Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka shpërndarë disa pamje ku shihet Milan Radojçiq, nënkryetari i Listës Serbe se ka qenë udhëheqës i grupit terrorist i cili sulmoi policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit në Bansjkë ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, një tjetër polic i plagosur e disa të lënduar.
“Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, ka shkruar Sveçla.
“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.”, ka vijuar Sveçla.
Sveçla ka thënë se kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës.
Shpalljen e ditëve të zisë nga Serbia dhe Lista Serbe për sulmuesit serbë të vrarë nga aksioni i Policisë së Kosovës, Sveçla e ka cilësuar vulosje të autorësisë së organizimit.
“Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan. Ndërkohë, ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi”, ka theksuar ai.