Sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me rekomandimet e Komisionit parlamentar që Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) “të merret me devijimet e rrymës në veri të Kosovës është ruajtur dhe mbrojtur shtetësia e Kosovës në tërë territorin e saj”.
Të mërkurën, Komisioni Parlamentar për Ekonomi i propozoi KOSTT-it që të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe që të mos obligohej Qeveria për këtë. KOSTT-i ka kërkuar 11 milionë euro për të paguar rrymën deri në fund të vitit për pjesën veriore të Kosovës. Lidhur me këtë pati reagime të ashpra të opozitës që kritikoi pushtetin aktual se ka ndërruar qëndrimet nga koha sa ishte opozitë.
Megjithatë, në Interaktiv, Kusari-Lila ka thënë se nuk janë ndarë 11 milionë euro, teksa ka mbrojtur vendimin e Komisionit.
“Kjo duhet të shihet në dy rrafshe, rrafshi i brendshëm që s’arrijmë të faturojmë rrymën në veri për krejt periudhën e pasluftës dhe pas pavarësimit energjetik dhe problemi i jashtëm i asaj që mund të shkaktojmë ne në Evropën kontinentale është mungesa e disbalancit që ka shkaktuar ndryshim të orës digjitale evropiane si rrjedhojë e disbalancit që ka ndodh në Kosovë”, ka thënë ajo fillimisht. “Janë informacione të pasakta se Qeveria ndau 11 milionë euro. S’ka qenë vendim i Qeverisë, por propozim i anëtarëve të Kuvendit. Kemi kërkuar nga KOSTT-it të merret me devijime të energjisë. S’ka qenë 11 milionë”.
Sipas Kusar-Lilës, “me atë që kemi bërë kemi bërë që të mbrohet dhe ruhet shtetësia e Kosovës në tërë territorin e saj”.
Ajo ka thënë se sikur të mos merrej ky rekomandim, Kosova shumë lehtë mund të merrte vlerësim negativ e të përjashtohej nga rrjeti i operatorëve të transmisionit evropian.
Kusari-Lila po ashtu ka thënë se javën e ardhshme do të jetë i gatshëm për prezantim plani legjislativ.
“Javën e ardhshme është i gatshëm për prezantim plani qeverisës, pastaj do të jetë programi legjislativ, por ne si grup parlamentar jemi duke punuar intesivisht që të kemi strategjinë tonë, në disa projekt-propozime të reja, rishikimin e disa ligjeve. Ka shumë pozita të lira të bordeve. Vera do të jetë shumë e ngjeshur me këto aktivitete, shto faktin se do të hyjmë në rishikimin e buxhetit”, ka vazhduar ajo.