Na lëni të gëzohemi dhe na lëni të festojmë, pa e bërë pis më shumë punën.
Për të gjithë që u egzaltuan mbrëmë me “Vallen e Rugovës” së Rita Orës, në sheshin e stërmbushur me të rinj që morrën pak shpresë dhe vullnet nga suksesi i Ritës, sot na e mbytën “paria” e vendit me organizimin skandal të seancës soleme të Kuvendit.
Çdo gjë që mund të bëhej gabim sot u bë nga Kryetari i Kuvendit dhe kushdo që bashkë me të që ishin në këtë organizim.
Ulëset dhe radhitja e mysafirëve pa ndonjë rend apo protokoll, President të shtetit, ish-president, ish-Kryeministra, ambasadorë, krejt lëmsh.
Kush ulet lart dhe kush ulet poshtë nuk dihej saktë.
Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit kur u shpall Pavarësia, z. Sejdiu dhe z. Krasniqi, ishin ulur lart në lozhën e mysafirëve dhe të gazetarëve. Pastaj u kujtuan ta thërrasin presidentin Sejdiu poshtë, por e lanë Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi lart.
Ish-Presidentin e Kroacisë Stipe Mesiç, njëherë gati se nuk e lanë të futet në sallë, pastaj kur e lanë, e ulën në fund të rendit të parë, pas deputetit të Republikës së Maqedonisë.
Në adresimin e tij, Kryetari i Kuvendit, tregoi se nuk ka zyre apo personel të mirëfilltë që e mbështesin, ju tha mysafirëve: keni ardhë më shumë se që prisnim.
Filloi ti përmend mysafirët ashtu si ju kishin ulur përballë, pa i shikuar fare ata në radhën e sipërme, kush janë dhe pse janë ata mysafirë aty.
Përmendi një nga një, jo me protokoll, por me radhë të uljes (pa protokoll) dhe pasi Ambasadoren e BE-së e kishin ulur gati në fund të radhës afër bashkëshortes së Kryetarit të Kuvendit, z. Veseli së pari vendosi ta përmend bashkëshorten e tij e pastaj shkarazi edhe Ambasadoren e BE-së, Natalia Apostollova.
Mendova në atë moment për primitivizmin tonë Ballkanik. SIkur të ishte Ambasadorja e BE-së një burrë Gjerman, do të përmendej më herët. Por ka qëlluar grua e një shteti ish-komunist dhe prandaj e përmendin në fund.
Nëse dikush mendon se sot dua të bëj opozitën, gabon rëndë. Sot, do të doja që Kosova të shkëlqente. Që seanca e sotme të ishte shembull për të gjithë prezent dhe të ndiheshim pak krenar për arritjet e dekadës. Por nuk na lanë as këtë të voglën festë, pa na treguar kaosin dhe mungesën e dinjitetit që ekziston tek ata që duhej të ishin shembul për këtë.
Mos të harroj, komplet familjen e Kryeministrit dhe nipat e kunatat në pritjen e Rita Orës në zyrën e tij të Qeverisë. Nëse donte të jepte shembull të admirimit të këngëtares, kabineti i Kryeministrit kanë mundur të sillnin brenda fëmijë të dëshmorëve dhe familjarëve të zhdukurve dhe jo vetëm fëmijët dhe familjen e Kryeministrit. Ku jeni nisur kështu? Çfarë po ndodh me protokollin e shtetit? A keni privatizuar tani çdo gjë? A hyjmë në institucione apo në shtëpitë tuaja private?! Dreqi e mori na bëtë horë.
Tani protokolli i Kosovës është shëndërruar në burra e gra, kunata e kunetë dhe kusherinjë. Rendi i ri shoqëror i Kosovës është tërësisht farefisnor dhe klanor.
E mysafirët e huaj të gjejnë mënyrën të na tregojnë se janë pasardhës të ilirëve dhe bashkëmendimtarë të pushtetarëve se ndryshe, sikur Stipe Mesiç, do të ulen në fund të rreshtit.
Marre!