Mimoza Kusari–Lila, kryetarja e Alternativës dhe ministrja në detyrë, së bashku me Arbër Gashin, drejtorin e përgjithshëm të Kanal10, kanë vizituar panairin EXPO DIASPORA 2026, i cili po mbahet në Flori Gallery Expo, në Prishtina Mall.
Panairi, i organizuar nga Java Multimedia Production, ka bërë bashkë kompani vendore dhe bashkatdhetarë nga e gjithë bota, duke krijuar mundësi për promovimin e bizneseve, investimeve dhe bashkëpunimeve të reja ekonomike.
Gjatë vizitës së saj, Kusari–Lila ka thënë se ky panair është një urë që afron diasporën me ekonominë e Kosovës, duke krijuar mundësi për partneritete, investime dhe bashkëpunim afatgjatë.
Ajo ka theksuar se deri më 18 gusht, qytetarët kanë mundësi të njihen me kompani të suksesshme vendore dhe bashkatdhetarë nga mbarë bota, të cilët ndajnë të njëjtin vizion për zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas Kusari–Lilës, bizneset pjesëmarrëse nga fusha të ndryshme, përfshirë investimet, patundshmëritë, shërbimet financiare, turizmin, teknologjinë, shëndetësinë, industrinë e bukurisë dhe brendet vendore, dëshmojnë potencialin dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat të Kosovës.
Ajo ka përgëzuar organizatorët, Java Multimedia Production dhe Kanal10, për organizimin e këtij panairi, i cili promovon sukseset e bizneseve dhe forcon lidhjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe diasporës./Gazeta10

