Kryesia e LDK’së ka miratuar edhe listën me gjashtë ministrat e kësaj partie që do të jenë pjesë e qeverisë Kurti, si dhe emrin e kryeparlamentarit.
LDK në qeverinë Kurti do t’i ketë gjashtë ministra, zv.kryeministrin e parë. Ndërsa, kësaj partie do t’i takojë edhe posti i kryeparlamentarit, të cilin zyrtarisht e mbanë akoma Glauk Konjufca.
Reporteri.net, ka siguruar listën me emrat e ministrave të LDK’së, në qeverinë Kurti:
Avdullah Hoti – Zv.kryeministër i parë
Lumir Abdixhiku – Ministër i Infrastrukturës
Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme
Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes
Hikmete Bajrami – Ministre e Arsimit
Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës, dhe
Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë
Ndërsa, Vjosa Osmani është votuar nga kryesia e LDK’së, si personi i cili do të jetë kryetare e Kuvendit.
Por ajo që ndoshta nuk e ka pritur askush, është emërimi i Agim Veliut për ministër të Brendshëm, edhe për faktin se ai është kryetar aktual i Komunës së Podujevës, kanë bërë të ditur burime të Reporteri.net.
Veliu dhe MPB kanë qenë dy zonat më problematike në arritjen e koalicionit LVV-LDK, dhe partia e Mustafës përveç që ka marrë këtë ministri për vete, atë do ta drejtojë personi më së paku i pëlqyer nga LVV e Kurtit.
Agim Veliu ka qenë personi më i barrikaduar, që mos të lëshohet pe në raport me ofertat e LVV’së për koalicion, ku LDK’së nuk i jepej asnjë post i lartë politik.
Më në fund LVV u dorëzua, dhe i dha LDK’së, postin e kryeparlamentarit, të cilin do ta drejtojë Vjosa Osmani. /reporteri.net