Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se shumë shpejt do të fillojnë punimet për ndërtimin e urës në Badovc.
Por ai nuk ka treguar saktë datën se kur do të nisin punimet.
“Do të fillojmë me punimet më shpejt’’, thotë ai.
Aliu, thotë se ka qenë dashur me u rividu projekti, duke treguar se ishte në pritje të një përgjigje për këtë çështje.
“U dashtë me u revidu projekti”, ka deklaruar ai për Front Online.
Duke llogaritur datën e nënshkrimit të kontratës 10.01.2024 dhe 125 ditëve të përcaktuar, i bie që punimet është dashur të përfundojnë në mesin e muajit maj 2024, por në teren punimet kanë ngecur.
Megjithatë, qytetarët janë shprehur të zhgënjyer, duke kujtuar se ndërtimi i kësaj ure ka filluar shumë kohë më parë dhe ende nuk ka përfunduar.
Ata kanë kritikuar mungesën e një afati të saktë për përfundimin e projektit, duke bërë krahasime me Autostradën e Gjilanit, e cila ishte thënë se do të hyjë në qarkullim së shpejti dhe se 70% e punimeve janë kryer, por ajo ende mbetet qështje e pazgjidhur për banorët e Anamoravës.
Qytetarët kërkojnë përfundim të shpejtë dhe efikas të punimeve, duke shpresuar që premtimet e reja të mos jenë të kota.