Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MRKS), Hajrullah Çeku, ka thënë se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), duhet t’i bëjë ndryshimet e kërkuar nga Komisioni për Licencim, përfshirë largimin e Agim Ademit nga pozita e presidentit, në mënyrë që të mundë të licencohet.
Komisioni për Licencimin e Federatave Sportive i MKRS-së i kërkoi në fillim të këtij viti Ademit të largohet nga pozita e shefit të FFK-së, apo Komiteti Ekzekutiv i federatës ta pezullojë derisa procesi gjyqësor ndaj tij të vazhdojë.
Ademi është duke u rigjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë i akuzuar për veprën penale detyrim në bashkëkryerje dhe ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.
I pyetur rreth dështimit të FFK-së për t’u licencuar dhe kushtit që kryetari i saj Ademi ta largohet, Çeku e përsëriti kërkesën e Komisionit Vlerësues.
“Ekziston një procedurë gjyqësore ndaj Agim Ademi dhe Komisioni ynë e ka bërë një interpretim të një neni të Kodit Etik të FIFA-s, sipas të cilit, nëse dikush është në procedurë gjyqësore, me një aktakuzë të ngritur për vepër penale, nuk mundet me pas pozitë udhëheqëse në institucion”, tha Çeku në emisionin Konfront në KTV të mërkurën.
Ai shtoi: “Në fund i takon vetë federatës t’i bëjë këto ndryshime dhe t’i sjellë dokumentet në Ministri për licencim dhe kjo nuk dallon nga federatat e tjera.”
Komisioni i Ministrisë së Sportit ka refuzuar deri tani t’ia japë licencën FFK-së për shkak se ajo nuk i plotëson disa kushte të rëndësishme, ndër to është edhe çështja e kryetarit.
Ademi është në rigjykim që prej vitit 2019, pothuajse tërë mandatin e parë dhe tani dhe një vit brenda mandatit të dytë. Kodi Disiplinor i FIFA-s, neni 71, e ndalon një gjë të tillë.
“Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive kërkon që Agim Ademi me efekt të menjëhershëm dhe përmes shkresës zyrtare ta pezullojë veprimtarinë e tij në cilësinë e Kryetarit të FFK-së deri në përfundim të procedurës gjyqësore”, thuhej në letrën e Komisionit Vlerësues dërguar Ademit në fund të janarit.
Ademi është munduar ta kundërshtojë këtë duke iu drejtuar FIFA-s, e cila e konfirmoi interpretimin e Komisionit Vlerësues se neni 71 i Kodit të saj Disiplinor kërkon që personat që janë në proces gjyqësor nuk duhet të jenë në krye të federatave, por zbuloi se ajo nuk ka hapur procedurë pezullimi ndaj Ademit, megjithatë.
Ministri Çeku po ashtu zbuloi se FFK-ja ende nuk e ka çuar në Komisionin Vlerësues statutin e vet të ri, që e meritoi në fund të janarit midis dyshimeve dhe polemikave.
Zvarritja e licencimit të FFK-së është duke i dëmtuar vetëm klubet e futbollit në vend, të cilat po humbin të hyra nga ligji për sponsorizim./Nacionale/