Kancelarja gjermane, Angela Merkel kërkon medoemos të ndryshojë fluksin migrator në vend nëpërmjet një ligji të ri për migracionin, me qëllimin e vetëm për ta bërë më të lehtë për të huajt që të gjejnë një punë në Gjermani. Politika e dyerve të hapura duket se po hyn kështu në një fazë të dytë. Ligji i ri i emigracionit do të shoqërohet me një paketë 4 miliardë euro. Një ndër arsyet kryesore të kësaj politike duket se është nevoja e pashmangshme për të mbushur vendet vakante në sektorët kyç, si ai i kujdesit shëndetësor.
Bëhet fjalë për më shumë se 1 milionë vende pune vakante, shprehen përfaqësuesit e biznesit në vend. “Ne do të vazhdojmë të mbështetemi te profesionistët e huaj”-deklaroi Angela Merkel në Bundestagun gjerman, duke mbrojtur kështu politikat e saj pro emigracionit. Sipas saj, kompanitë nuk duhet të ikin nga Gjermania vetëm se s`po gjejnë dot staf. Shqiptarët ndërkohë duket se janë në fokus të ligjit të ri për shkak të potencialit që ofrojnë në sektorin e kujdesit shëndetësor.
Sipas ministrit të shëndetësisë, Jens Spahn, të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova mund të ndihmojnë vendin që të mbushë 50 mijë vendet vakante në shëndetësi. Ai ndër të tjera, vetëm pak kohë më parë bënte apel për përshpejtimin e procedurave për dhënien e vizave për të huajt që duan të punojnë në sektorin e kujdesit shëndetësor në Gjermani. Në 15 vitet e ardhshme projektohet që sektori të ketë 250 mijë staf mungesë. Vetëm emigrantët mund ta mbulojnë këtë hendek.
Të dhënat e urdhrit të mjekut flasin mesatarisht për 150 kërkesa në vit nga mjekët shqiptarë për t`u larguar drejt Gjermanisë, ç`ka bën që në 4 vitet e fundit të jenë larguar mbi 500 mjekë. Për infermierët ndërkohë, numri është bindshëm më i lartë, pasi flitet për rreth 3000 të tillë të larguar. Kjo tendencë mund të rritet edhe më shumë me ligjin e ri gjerman dhe nevojën në rritje për profesionistë, as politikat e reja të qeverisë për të stimuluar ekonomikisht mjekët që punojnë në rrethe, nuk kanë pasur efekt në zhbërjen e dëshirës për t`u larguar nga vendi./ SCAN