Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, u prit sot në Ministrinë e Shëndetit dhe Kujdesit të Mbretërisë së Norvegjisë nga homologia e tij, Ingvild Kjerkol.
Ministri Latifi fillimisht falënderoi Kjerkolin në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës për gjithë mbështetjen e ofruar nga shteti norvegjez për Kosovën dhe në veçanti për përkrahjen e ofruar për përballimin e pandemisë COVID-19.
Më tej, ministri Latifi shpalosi para homologes së tij norvegjeze planin strategjik të transformimit të shëndetësisë kosovare, me theks të veçantë krijimin e qendrave të ekselencës, digjitalizimin e sistemit shëndetësor, sistemin e edukimit dhe trajnimit të personelit shëndetësor.
Sipas një njofitmi të Ministrisë, Kjerkoli, pasi shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, shfaqi interes në veçanti për projektin e sistemit dhe qendrës së emergjencës e traumës, kujdesin primar shëndetësor, si dhe edukimin e vazhduar professional të personelit shëndetësor.
Ministri Latifi e ftoi ministren Kjerkol që të vizitojë Republikën e Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë në një të ardhme të afërt.